Zjarr në pishat e Ranës së Hedhur në Shëngjin, rrezikohen bizneset pranë zonës turistike

Zjarr në pishat e Ranës së Hedhur në Shëngjin, rrezikohen bizneset pranë zonës turistike

29 Maj, 2026 15:32

Një zjarr ka përfshirë këtë të premte masivin me pisha në zonën e Ranës së Hedhur, në Shëngjin, duke shkaktuar shqetësim dhe alarm për shkak të afërsisë së flakëve me bizneset dhe objektet turistike që operojnë në këtë zonë bregdetare.

Menjëherë pas sinjalizimit për zjarrin, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Shëngjinit dhe Lezhës, si dhe shërbime të tjera emergjente, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas informacioneve paraprake, vatra e zjarrit është përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës në zonë, ndërsa prioritet i autoriteteve mbetet mbrojtja e sipërfaqes pyjore dhe shmangia e rrezikut për bizneset, restorantet dhe strukturat akomoduese që ndodhen pranë.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe pushuesve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur për të mos penguar ndërhyrjen e forcave emergjente.

/rtsh.al/