Parandalimi zjarreve gjatë verës, në Delvinë u kërkua forcimi i masave parandaluese
Në bashkinë e Delvinës u zhvillua takimi i shtabit të emergjencave civile me qëllim marrjen e masave parandaluese për sezonin veror dhe rrezikun e zjarreve në territor.
Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues të policisë së shtetit, shërbimit zjarrëfikës, emergjencave civile, shërbimeve publike dhe të tjerë, të cilët diskutuan koordinimin ndërinstitucional për përballimin e situatave të mundshme emergjente si ato që u regjistruan vitin e kaluar për shkak të zjarreve.
“Pikërisht për këtë neve jemi në hapat të hershme, domethënë për të parandaluar dhe marrë masat për të gjithë mbarëvajtjen e sezonit të verës.”
Gjatë takimit u theksua nevoja për forcimin e masave parandaluese, monitorimin e zonave me rrisk të lartë dhe reagimin e shpejtë në rast zjarresh.
“Toleranca e të gjithë zjarrëdhënësve këtë vit do të jetë zero dhe me masa më të ashpra duke marrë parasysh dëmet konsiderueshme që na la pas viti 2025. Kemi një thirrje për të gjithë barinë që operojnë në zonat malore të qytetit të Delvinës të jenë të ndërgjegjshëm për zjarrëdhëniet që ata krijojnë me dashje apo pa dashje ose në rast se nëpër shkaqe natyrore siç ka ndodhur nga rufet ata të jenë bashkëpunues menjëherë me organet kompetente për këtë pjesë.”
Në vijim, bashkia e Delvinës do të vijojë takimet informuese me kryepleqtë dhe banorët e fshatrave me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen e komunitetit në parandalimin e zjarreve.
Autoritetet vendore theksojnë se bashkëpunimi me qytetarët mbetet një element kyç për një sezon veror të sigurt.
/rtsh.al/
Na ndiqni:





