BE paralajmëron Shqipërinë për Vjosë-Nartën

BE paralajmëron Shqipërinë për Vjosë-Nartën

8 Qershor, 2026 16:31

Pas ditëve të njëpasnjëshme të protestave, debati për Vjosë-Nartën ka mbërritur edhe në institucionet europiane.

Sipas një artikulli të publikuar nga Politico, Komisioni Europian i ka kërkuar Shqipërisë të shmangë veprimet që mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e lidhur drejtpërdrejt situatën me kapitullin e mjedisit në negociatat e anëtarësimit.

Paralajmërimi vjen ndërkohë që protestat kundër projektit turistik të lidhur me kompaninë e Jared Kushner po hyjnë në javën e dytë. Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit, duke argumentuar se ai rrezikon të shkatërrojë një zonë të mbrojtur.

Çfarë e shqetëson Brukselin?

Sipas Komisionit Europian, Shqipëria duhet të harmonizohet plotësisht me legjislacionin europian për mbrojtjen e habitateve natyrore dhe të shpendëve, si pjesë e detyrimeve për mbylljen e Kapitullit 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi për Politico se autoritetet shqiptare duhet të veprojnë sa më shpejt dhe të shmangin çdo hap që mund të cenojë përmbushjen e këtyre kritereve.

Po sipas artikullit, Brukseli ka kërkuar gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura dhe përfundimin e ligjit për investimet strategjike, që prej kohësh është kritikuar për mundësinë që u jep projekteve të caktuara të ecin me procedura të përshpejtuara.

Çfarë thotë qeveria?

Sipas Politico, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka informuar Komisionin Europian se nuk ka nisur ndërtimi i projektit dhe se ende nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi.

Ministria ka deklaruar se projekti do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis, i cili, sipas saj, do të zhvillohet me transparencë dhe konsultim publik.

Nga ana tjetër, organizatat mjedisore vazhdojnë të publikojnë pamje nga terreni, ku pretendojnë se makineritë e rënda kanë kryer ndërhyrje në zonën e mbrojtur.

Protestat vazhdojnë

E quajtur tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, lëvizja ka dalë përtej organizatave mjedisore. Protesta janë mbajtur jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga shqiptarë në Londër, Nju Jork, Bruksel, Berlin, Milano, Vjenë etj.

Ndërkohë, SPAK ka nisur një hetim lidhur me ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe statusin e pronësisë së tokës në zonë.

Çështja tashmë shkon përtej një investimi të vetëm dhe ngre pyetje mbi mënyrën se si trajtohen zonat e mbrojtura përballë projekteve të konsideruara strategjike.

Burimi: Anabel Magazine