Rama prezanton “Albanian Digital Solutions”: Një kapitull i ri për transformimin digjital të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim” këtë të diel, më 31 maj, ka komentuar zhvillimet kryesore të javës së fundit, duke u ndalur tek procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe tek hapat e rinj në transformimin digjital të administratës publike.
Në këtë kuadër, Rama prezantoi krijimin e një kompanie të re publike, “Albanian Digital Solutions” (ADS), e cila shënon fazën e re të transformimit digjital të shtetit shqiptar.
“Pas ndërtimit të platformave dhe dixhitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike, të cilat jepen prej disa vitesh tashmë drejtpërdrejt nga celulari apo kompjuteri përmes e-Albania-s, sot kemi hedhur një tjetër hap për të hyrë në një etapë ku kapacitetet e reja teknologjike do të na japin mundësinë që të transformojmë thellësisht edhe qeverisjen elektronike të vendit,” – u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se kjo kompani publike do të shërbejë si një qendër ekselence për talentet shqiptare të teknologjisë, duke mbuluar sferën publike të nevojave dhe inovacionit në shërbimet publike, si dhe duke garantuar inovacionin në qeverisjen e vendit në të dyja nivelet.
“ADS-ja do të jetë praktikisht truri që do të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme zgjidhjet e nevojshme dhe, nga ana tjetër, do të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve tona,” theksoi Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe rritjen e ndjeshme të aplikimeve për programet e inovacionit, duke përmendur mbi 1100 aplikime vetëm në ciklin e fundit të granteve për programin “Startup Albania”.
“Të gjitha këto na tregojnë se kemi fituar gradualisht një terren ku e kemi nisur nga fundi i fundit dhe sot kemi një vend në hartën europiane dhe globale të inovacionit për sa i përket sektorit publik, por kemi nevojë të shkojmë shumë më përpara edhe në sektorin privat,” tha ai.
Rama shpjegoi se ndarja e AKSHI-t në dy pjesë është pjesë e këtij transformimi, qw sikurse ai theksoi,” Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e reja të teknologjisë edhe në qeverisje, gjë që, faktikisht, e kemi nisur dhe do ta vazhdojmë me intensitet edhe falë kësaj ndarjeje të AKSHI-t në dy pjesë. AKSHI do të jetë drejtuesi, rregullatori dhe monitoruesi i cilësisë, ndërsa “Albanian Digital Solutions”, ADS-ja, do të jetë praktikisht truri që do të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme zgjidhjet e nevojshme dhe, nga ana tjetër, do të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve tona.”
Na ndiqni:




