logo
Tani Trump është shpresa e vetme e Vladimir Putin

Tani Trump është shpresa e vetme e Vladimir Putin

28 Prill, 2024
14:43

Pas miratimit të një pakete të shumëpritur ndihme ushtarake prej miliona dollarësh nga ana e SHBA-së për Ukrainën, përpjekja luftarake e Vladimir Putin do të rifillojë trajektoren e saj në rënie. Kremlini, duke mos pasur më kohën në anën e tij, do të presë me dëshpërim shpëtimtarin e vet: Mesian nga Mar-a-Lago.

Nga Carl Bildt

Lajmi i javës së kaluar u prit padyshim me lehtësim të madh në Kiev dhe pikëllim në Kremlin. Kongresi amerikan më në fund i dha fund bllokimit të tij gjashtëmujor dhe miratoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën (si dhe për Izraelin dhe Tajvanin). Dhe progresi erdhi vetëm disa ditë pasi liderët e BE-së u angazhuan gjithashtu për të ofruar edhe më shumë mbështetje, përveç paketave të mëdha të ndihmës që miratuan së fundmi. Mbetet ende për t’u parë se si do të duket kjo gjë, por Gjermania tashmë ka premtuar një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore Patriot – një nga teknologjitë kryesore që e ka penguar Rusinë të fitojë një avantazh vendimtar – dhe u ka bërë presion vendeve të tjera anëtare të BE-së që të ndihmojnë në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Mbështetja është dëshpërimisht e nevojshme. Ukraina ka duruar disa muaj të vështirë. Pasi kundërofensiva e saj e shumëpritur ushtarake vitin e kaluar nuk dha pothuajse asnjë rezultat, dështimi i Amerikës për të rënë dakord për një paketë tjetër ndihme i dha një goditje të fortë moralit. Municionet ukrainase u pakësuan ndërsa Kremlini shtoi sulmet e tij raketore kundër infrastrukturës industriale dhe energjetike të vendit.

Ndërsa situata bëhej gjithnjë e më e zymtë për Ukrainën, Kremlini mund të pretendonte një fitore propagandistike. Megjithëse shumë rusë duan t’i japin fund luftës, presidenti Vladimir Putin mund t’i siguronte ata se vullneti i Perëndimit kishte filluar të shkërmoqej. Jo vetëm që fabrikat ruse të municionit janë në aktivitet të plotë, por Donald Trump ka shumë shanse të mira për të fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të ardhshëm. Një fitore ruse, sidoqoftë, dukej e arritshme.

Por që të mos harrojmë, Putinit i është dashur të ridimensionojë qëllimet e tij në mënyrë thelbësore që nga fillimi i luftës së tij të agresionit në shkurt 2022. Ai fillimisht sugjeroi se qeveria e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky do të rrëzohej brenda disa ditësh dhe se i gjithë territori i njohur si Ukrainë do të kthehej te pala ruse. Ushtritë ruse supozohej se do të marshonin drejt Kievit, ku do të priteshin si çlirimtarë.

Ishte një gabim strategjik me pak precedentë historikë. Ofensiva ruse shpejt u ndal dhe forcat ruse u detyruan të tërhiqeshin menjëherë nga zonat kryesore, si ato rreth Kievit. Në muajt në vijim, ata u dëbuan gjithashtu nga Khersoni dhe rajoni i Kharkivit.

Vendosmëria e palëkundur e Ukrainës nuk ishte e vetmja gjë që Kremlini nënvlerësoi. Gjithashtu, me sa duket, ai nuk arriti të parashikonte që një koalicion i gjerë i vendeve perëndimore do të përgjigjej me ndihmë gjithëpërfshirëse financiare dhe ushtarake. Brenda vitit 2023, forcat ruse ishin vendosur në një pozicion mbrojtës dhe kishte pritshmëri në rritje që ukrainasit – të armatosur me pajisje perëndimore – do t’i zmbrapsnin pushtuesit.

Kur kjo nuk ndodhi, konflikti u shndërrua në një luftë dobësuese. Ndërsa vendosmëria perëndimore dukej se po zbehej, Putini u bë më i sigurt, pasi arriti në përfundimin se koha ishte në anën e tij. Edhe pse padyshim do të jetë përgatitur për operacione të reja ofensive, dyshoj se ai është mbështetur më shumë te shpëtimi i Trump sesa forcat e tij.

Por tani llogaritë kanë ndryshuar përsëri. Duke sfiduar izolacionistët Trumpianë dhe mbështetësit e Putin, Republikanët e Kongresit, së bashku me Demokratët, kanë miratuar mbështetjen që ukrainasit e kanë pritur me dëshpërim. Edhe pse do të duhet pak kohë që dërgesat e reja të municioneve dhe pajisjeve të arrijnë në vijat e frontit – ku forcat ruse kanë bërë prohres në rritje – efekti i menjëhershëm politik dhe psikologjik është i rëndësishëm. Shanset që Ukraina të mbajë vijën dhe t’i mbijetojë çdo sulmi të ri rus këtë vit janë përmirësuar në mënyrë dramatike.

Papritur, nuk është më dhe aq e qartë nëse Putini ka kohë në anën e tij. Nëse kjo luftë na ka mësuar diçka, ajo është se mbrojtja është më e lehtë sesa sulmi. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, prodhimi i predhave të artilerisë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ka shumë të ngjarë të rivalizojë, në mos edhe t’ia kalojë, asaj të Rusisë, e cila është dashur të mbështetet në municionet e Koresë së Veriut. Për më tepër, zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjive të raketave me rreze të gjatë të Ukrainës do të ketë filluar të japë rezultate të rëndësishme; dhe mobilizimi i fundit i personelit të Ukrainës do të ketë rimbushur disa nga forcat dhe rezervat e saj luftarake të vijës së parë. Shkurtimisht, shpresa e Putinit për të marshuar drejt fitores këtë vit do të zhduket. Përpjekja e tij luftarake do të rifillojë trajektoren e saj në rënie.

Por një shpresë do të mbetet. Kremlini do të presë me dëshpërim shpëtimtarin e tij nga Mar-a-Lago – të cilin një republikan thuhet se e quajti “Jezusi portokalli”. Nëse kthimi i Trump në Zyrën Ovale do t’i jepte fund sprovës që Putin krijoi për veten e tij, kjo është tjetër histori. Tani për tani, Rusia po shkon sërish drejt dështimit në Ukrainë.

Trump Is Putin’s Only Hope Now

Burimi: ntv.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Përballja me produksionin dhe debati me Orin, Jetmiri thyen heshtjen
lexo artikullin
logo

Një portal unik ku do të gjeni informacionet e përzgjedhura nga të gjithë portalet shqiptare.Ne përzgjedhim më të mirën për ju!

© 2024 lajme-shqip.com