“Molla e sherrit” vjehrra? Prapaskenat e vdekjes së Xhuana Nikollajt: Fjalët e fundit dhe letra e lamtumirës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj, i dha fund jetës si pasojë e dhunës sistematike.
Gazetarja e kronikës, Aida Topalli, në një intervistë të detajuar për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, ka zbërthyer prapaskenat e kësaj historie që nisi si një përrallë dashurie dhe përfundoi në mënyrë tragjike.
Sipas gazetares Topalli, historia mes dy të rinjve nga Lezha ishte e gjatë, por martesa e tyre rezultoi jetëshkurtër dhe e mbushur me dhunë.
“Dy të rinjtë kishin një histori të gjatë dashurie, të cilën e kishin kurorëzuar në martesë verën e vitit të kaluar. Martesë e cila zgjati vetëm 3 muaj pasi ka pasur dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike ndaj 25-vjeçares”.
Përtej dhunës nga ish-bashkëshorti, Eraldo Fizi, hetimet po shtrihen edhe tek anëtarët e tjerë të familjes. “Ka pasur akuza dhe deklarata të të afërmve se ka qenë vjehrra “molla e sherrit” mes çiftit të ri. Por grupi hetimor do të hetojë se çfarë fshihet pas kësaj”.
Pas divorcit, Xhuana po përpiqej të ndërtonte një jetë të re në Tiranë, ku punonte dhe jetonte me shoqen e saj. Megjithatë, takimi i fundit me ish-bashkëshortin, i cili ishte kthyer nga Italia më 9 mars, rezultoi fatal. “Pas debateve të vazhdueshme me mesazhe, ai është takuar me ish-bashkëshorten dhe kanë qëndruar deri rreth orës 3 të mëngjesit të ditës së martë. Kur është kthyer në banesë, shoqja e saj ka deklaruar se Xhuana ka qenë me shenja të dukshme dhune, deri në nofull të thyer.”
Kjo gjendje e rënduar fizike dhe psikologjike e shtyu të renë drejt konsumimit të fostoksinës. Edhe në momentet e fundit të jetës, Xhuana arriti të dëshmonte për tmerrin e përjetuar. “Xhuana Nikollaj ka mundur të rezistojë për të paktën 2 orë që nga momenti që është marrë nga banesa për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Ka deklaruar se personi që i ka shkaktuar shenjat e dhunës dhe që e ka çuar drejt kryerjes së një akti të tillë ka qenë ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi”.
Një detaj kyç në hetim është letra që 25-vjeçarja la pas, ku përdorimi i numrit shumës lë të kuptohet se presioni nuk vinte vetëm nga një person. “Ajo ka lënë një letër ku shkruhej: “Nuk mund të lejoj të më dëmtojnë më shumë, prandaj ju kërkoj falje”. Xhuana në atë letër flet në numrin shumës, shkaktarë mund të kenë qenë edhe familjarë të ish-bashkëshortit të saj.”
Na ndiqni:





