Këlliçi denoncon aktivitetin e Call Center-ave mashtruese në Tiranë
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi pas publikimit të një hetimi nga emisionet “Piranjat” dhe “Le Iene”, i cili zbulon aktivitetin e call center-ave mashtruese që operojnë në Tiranë. Sipas tij, ky investigim tregon se në kryeqytet funksionojnë struktura të organizuara që mashtrojnë qytetarët e vendeve europiane dhe përvetësojnë pasuri nga llogaritë e tyre bankare. Këlliçi thekson se këto aktivitete zhvillohen në disa nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, përfshirë kulla biznesi, vila dhe qendra tregtare. Ai nënvizon gjithashtu se gazetarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit dhe kanë dorëzuar informacione për vendndodhjen e disa prej këtyre call center-ave, por informacioni dhe provat kanë mbetur për javë të tëra pa asnjë reagim nga institucionet. Deputeti shprehet se ky fenomen po dëmton qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos në Itali, ku kursimet e tyre po i bien pre e skemave mashtruese që operojnë nga Tirana. Ai bën thirrje që SPAK të nisë një hetim për këto aktivitete dhe të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes këtyre skemave dhe strukturave shtetërore.
Na ndiqni:





