Sporti shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 83 vjeçare legjenda e volejbollit
Sporti shqiptar në zi. Shuhet një nga figurat më të njohura dhe popullore, legjenda e volejbollit për femra të Dinamos, Kreshnik Tartari. Ish-trajneri është ndarë dje nga jeta në moshën 83-vjeçare, ndërsa la gjurmë edhe si lojtar dhe drejtues sportiv.
Ai konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar te femrave, duke ndërtuar dhe drejtuar breza të tërë sportistesh që dominuan sportin në vend dhe u bënë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare duke e renditur Dinamon dy here mes 4 më të mirave të kontinentit.
Nën drejtimin e këtij ish-volejbollisti ekipi i femrave të Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar. Gjithçka nisi në vitin 1974, kur formacioni i drejtuar prej tij nisi një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 në total.
I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta. Si volejbollist, ai shkëlqeu me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj të shumtë kampionë dhe kupa gjatë viteve të arta të këtij sporti. Për kontributin e tij të shquar në sport, ai u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, mes të cilave edhe titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb
Na ndiqni:




