logo
Vuçiç në OKB, paraqet “fakte dhe argumente” për ngjarjet në veri

Vuçiç në OKB, paraqet “fakte dhe argumente” për ngjarjet në veri

9 Shkurt, 2024
9:04

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në mungesë të argumentave të mëtejme kundër Kosovës, falënderoi “109 shtetet anëtare” të OKB-së që ende nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai tentoi gjithashtu te paraqesë edhe disa “fakte dhe argumente” për ngjarjet në veri.

Duke komentuar ndalimin e autoblindës së kompanisë britanike ‘Henderson’ nga autoritetet e Kosovës që transportonte dinarë përtej kufijve ndërshtetëror, ai deklaroi se Serbia angazhoi një kompani britanike për bartjen e parave pikërisht për të treguar transparencën e Serbisë për këtë çështje dhe mohoi se Serbia mbështet kriminelët dhe terroristët.

“Serbia do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe qetësinë në rajon siç e kemi bërë gjithmonë. U tha që serbët po sjellin thasë në vijën administrative mes Serbisë dhe Kosovës… dhe kush i sjell thasët? Thasët i sjellin britanikët. Ne kemi angazhuar britanikët për bartjen e parave në Kosovë”, deklaroi Vuçiç gjatë adresimit final.

Gjithashtu para OKB-së, ai përmendi edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – duke njoftuar se Serbia nisi një proces hetimor dhe pritet të ketë edhe aktakuza, porse njëkohësisht nënvizoi se “integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë” në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së.

Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.

Kjo seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë është thirrur pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dhe qarkullimin e dinarin serb dhe mbylljes së disa komunave paralele serbe nëpërmjet disa aksioneve policore në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Burimi: ntv.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Krejt çka tha kryeministri i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit
lexo artikullin