Viktima në Itali, në një tavolinë bashkë me vëllain, kush është 23-vjeçari shqiptar i arrestuar që qëlloi me armë
Ky është 23-vjeçari shqiptar i cili qëlloi për vdekje një natë më parë në Itali një 27-vjeçar, po ashtu shqiptar. Mikea Zaka, ka deklaruar në polici se e ka kryer krimin pas një debati për çështje sentimentale për një vajzë. Por policia nuk e beson totalisht këtë version dhe nuk përjashton pistat e tjera që kanë të bëjnë me trafikun e drogës.
Zaka i mori jetën 27-vjeçarit K. Kasmi, që njihej ndryshe në zonë me emrin Carletto. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në Frosinone dhe të plagosur mbetën tre persona. Të plagosurit, siç shkruan Il Messaggero, janë vëllai i viktimës dhe dy persona të tjerë, vëllezër me njëri-tjetrin.
Autori 23-vjeçar u dorëzua vetë rreth dy orë pas ngjarjes. Ai është marrë në pyetje deri në orën 03:30 të mëngjesit dhe tashmë ndodhet i arrestuar për vrasje dhe tentativë të trefishtë vetëvrasjeje. Deri më tani nuk është gjetur arma e tij e krimit.
Sipas të përditshmes italiane, falë dëshmisë së tij, autoritetet kanë arritur të zbardhin edhe një pjesë të dinamikës së ngjarjes. Zaka ka thënë se ka qenë në lokal me një grup shokësh kur para orës 19:30 në lokal kanë mbërritur 4 shqiptarët e tjerë. Nga dëshmia e tij, por edhe këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se me armë është qëlluar nga brenda lokalit. Pra ndryshe nga çfarë ishte raportuar se autori kishte shkuar me një makinë tip Lancia Ypsilon.
Zaka është shprehur se arma nuk është e tij, por ia kishte marrë nga duart njërit prej personave që hynë në lokal. Por këtë version policia pritet që ta vërtetojë pas hetimeve të thelluara. Sipas një piste tjetër, dy shqiptarët që kanë shkuar me makinë tek vendi i ngjarjes mendohet të kenë qenë të pajisur me një thikë, ndërsa i arrestuari qëlloi për të mbrojtur veten. Zaka nuk ka rekorde kriminale, por vetëm vitin e kaluar është ndaluar për drogë në Casermone ku u kap me një sasi të madhe parash dhe dyshohej si korrier i një bande droge.
La Repubblica shkruan se Zaka ka qëlluar të paktën 6 herë me pistoletën e kalibrit 22. Një prej tyre e goditën Kasmin në qafë i cili ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Një prej tre të plagosurve paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Klienti im ishte bashkëpunues dhe u shfaq vetë në stacionin policor i shoqëruar nga unë. Ai iu nënshtrua një ekzaminimi dhe marrje pyetje të gjatë e cila përfundoi në agim. Ai u mbrojt duke besuar se edhe personat që erdhën me makinë tip Lancia ishin të armatosur”, tha avokati i Zakës.
Burimi: lajme.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip