“Tymi i zi na mbuloi”, rrëfimet e banorëve të Lushnjes për shpërthimin vdekjeprurës
Shpërthimi i djeshëm në Lushnje u ndje thuajse në të gjithë qytetin. Disa kilometra larg zonës industriale u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në subjekte biznesi e banesa.
Disa banorë, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar prej shpërthimit i kanë bërë thirrje shtetit për ndihmë.
Njëri prej tyre thotë se u kthye nga Greqia sapo mori vesh lajmin, nga frika për familjen.
“Isha në Greqi dhe mora haberin nga familja që kishte ndodhur diçka e papritur. U nisa urgjentisht, kur erdha pastaj mirë që Zoti e ka shpëtuar familjen, shikoj dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ju e shihni vetë, unë s’jam ekspert. Motra ime më njoftoi e para, u bë shkëputja e internetit me familjen. Gjeta gjithë njerëzit jashtë, xhama kudo, hekura të hedhur andej këtej. Kur erdha diku në Fier i thashë time shoqe kujdes se…”, shprehet mes lotësh banori. “Me këtë gjendje që është shtëpia edhe mund të kisha njerëz të vrarë. I ka ruajtur Zoti, faleminderit!”, shton ai.
Një i moshuar tjetër, thekson se lëkundjet e shkaktuara prej shpërthimit i ngjanin tërmetit.
“Morëm atë fëmijën e vogël, e çuam te një shok andej matanë. Shpërthimi, buuum! Kur dolëm ne, tymi na mbyti. Ishim në shtëpi, nusja, çuni, goca ime dhe plaka. Djali i vogël sa ka lindur, 2 muajsh.”
Bashkëshortja e tij, thotë se shtëpinë e kanë ndërtuar me kredi e tashmë gjithçka është e shkatërruar.
“Ne do lanim fëmijën e vogël që na lindi nusja. Hymë në kuzhinë, unë me plakun shkuam te dhoma. Vetëm kur i dha një shkundje si tërmet, dolëm përjashta. Tymi i zi na mbuloi, s’dinim nga të shkonim. Nusja e vogël u tromaks, u bë dyll e verdhë, e çoi çunin në shtëpinë e vet. Na dridhëron trupi që dje në drekë, as s’kemi ngrënë as gjumi s’na zë. 30 vjet çuni në Greqi e ka punuar në këtë shtëpi me mund e djersë, ka hyrë kredi. Ça të të thotë nëna!! Kurseheshim se kishim kredi. Shteti të na ndihmojë se na plasi ajo bombë si tërmet. Ushtoi sipër kokës tonë. Ça të të them nëna o bir!”
/Tv Klan/
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip