Tragjedi në Kosovë/ Vriten 2 persona në lokal, autori djali i ish-kandidatit të LDK
Dy persona u vranë sot pasdite në qendër të Klinës, Kosovë, në një ngjarje të rëndë që tronditi komunitetin lokal. Sipas raportimeve të mediave, të shtënat me armë ndodhën brenda një lokali në sheshin “Mujë Krasniqi”, ndërkohë që rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Një nga viktimat humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri, i plagosur rëndë, u transportua me urgjencë në spital, ku më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra. Burime paraprake sugjerojnë se dy viktimat janë anëtarë të familjes Shlivova, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende të ditura publikisht.
Policia e Kosovës raportoi se një i dyshuar për ngjarjen është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. I dyshuari është identifikuar si Adrian Hoti, 21-vjeçari nga fshati Jashanicë, dhe gjithashtu djali i ish-kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Klinës. Ai është anëtar i familjes Hoti dhe u dorëzua në polici pas aktit.
Sipas deklaratës së policisë: “Rreth orës 17:17 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin ‘Mujë Krasniqi’. Një person është gjetur pa shenja jete në vendngjarje dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen, ndërsa personi tjetër u dërgua në emergjencë ku ndërroi jetë. Një i dyshuar është arrestuar në lidhje me rastin.”
Burimi: iconstyle.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip