Superliga e Kosovës, pretendentët për titullin e mbyllin me fitore javën e 24
Java e 24 në Superligën e Kosovës, u mbyll me fitoret e skuadrave që po luftojnë për titullin e kampionit. Ballkani fitoi përballë Malishevës 2-0 në një ndeshje të rëndësishme për portokallizinjtë, që arritën rezultatin e dëshiruar ndaj skuadrës që gjatë edicionit aktual ka befasuar të gjithë për të mirë. Ishte kjo humbja e parë pas katër ndeshjeve për Malishevën që mbetet në pozitën e katërt me 41 pikë, pesë prapa Dritës kurse Ballkani ruan pozitën e parë me 51 pikë ku ka një më shumë se Llapi.
Llapi fitoi 2-1 kundër Gjilanit në një ndeshje të rëndësishme për të mbajtur ritmin me Ballkanin ku ky rezultat e mban atë një pikë prapa, por me qëllimin që ta parakalojë në javët e ardhshme. Pikët e plota nuk u siguruan për Llapin deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur skuadra shënoi golin e fitores nga një penallti e dyshimtë dhe e kontestuar nga mysafirët. Për Gjilanin kjo humbje ishte e rëndë ku mbetet me 22 pikë në zonën e ftohtë, katër pikë prapa Feronikelit.
Drita arriti fitoren e madhe në ndeshje ndaj Prishtinës ku një gol i vetëm i mjaftoi skuadrës nga Gjilani të siguronte pikët e plota pas humbjes befasuese javën e kaluar nga Fushë Kosova. Me këtë rezultat Drita është katër pikë prapa Llapit dhe pesë prapa Ballkanit, duke e mbajtur pozitën e tretë ku shfrytëzoi humbjen e Malishevës për të krijuar një dallim prej pesë pikësh me ta. Prishtina në anën tjetër vazhdon të ketë telashe ku aktualisht është ende në pozitën e pestë me 34 pikë, tre përpara Dukagjinit dhe shtatë prapa Malishevës në pozitën e katërt, duke regjistruar vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit.
Feronikeli fitoi 0-2 në udhëtim në duelin përballë Lirisë duke përfituar nga humbja e Gjilanit për të krijuar një dallim prej katër pikësh me skuadrën në pozitën e tetë. Feronikeli tani ka 26 pikë dhe në fundjavë bëri një hap të duhur në qëllimin për mbijetesë në Superligën e Kosovës edhe për edicionin e ardhshëm, kurse Liria ka 10 pikë dhe është në pozitën e fundit pa fitore në pesë ndeshjet e fundit, ku tani dallimi mes skuadrës nga Prizreni në vendin e dhjetë dhe skuadrës nga Drenasi në vendin e shtatë është 16 pikë.
Dukagjini dhe Fushë Kosova barazuan pa gola 0-0, rezultat ky që nuk ju shërben skuadrave për qëllimet që kanë. Dukagjini është në pozitën e gjashtë tre pikë prapa Prishtinës ku nuk arriti të përfitonte nga humbja e kryeqytetasve nga Drita, ndërsa Fushë Kosova qëndron në pozitën e nëntë ku është 10 pikë prapa Feronikelit në pozitën e shtatë.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip