Konferenca për media e ministrit gjerman, Boris Pistorius, me presidentin Aleksandër Vuçiç në Beograd është përcjellë me tension pasi një gazetar e ka pyetur mysafirin nga Berlini, se “cili është akti juridik ndërkombëtar në bazë të të cilit Gjermania po armatos Prishtinën”.
Pistorious në përgjigjen e tij ka thënë se Gjermania po armatos edhe Kosovën por edhe Serbinë dhe se këto armë janë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të secilit vend. Ai gjithashtu ka thënë se Gjermania e njeh Kosovën dhe synimi i Gjermanisë është paqja dhe stabiliteti.
“Ne nuk furnizojmë armë sulmuese, vetëm mbrojtëse. Nga këndvështrimi ynë, ne e njohim Kosovën. Vendet e tjera nuk e kanë bërë, bëhet fjalë për një numër më të vogël vendesh në botë. Synimi ynë në rajon është paqja dhe stabiliteti, si dhe afrimi i përbashkët me Bashkimin Europian. Kushtet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme, me të dyja palët e përfshira, dhe ky është parakushti bazë për stabilitet. Asgjë nuk e ndryshon këtë fakt”- ka thënë Pistorious
Vuçiç nga ana e tij theksoi se nuk ka asnjë akt juridik ndërkombëtar që miraton armatosjen e Kosovës.
“Çështja është se me cilin akt ndërkombëtar mund të armatoset Kosova, sepse ai akt nuk ekziston. Ka akte të shteteve individuale që e kanë njohur Kosovën. Dhe nga ana tjetër, përsa i përket vetë dialogut, ne jemi të ftuar në dialog sepse e shohim ndryshe natyrën juridike të situatës në Kosovë dhe Metohi. Nëse ne jemi vetëm për të verifikuar atë që bën Prishtina, atëherë nuk keni nevojë për ne. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, kemi 11 vjet që presim që dikush të formojë asociacionin, kemi bërë lëshime të shumta dhe Prishtina nuk ka përmbushur asnjë obligim që ka pranuar. Por kjo nuk është tema e kësaj bisede” – deklaroi Vuçiç.
Nga ana tjetër, Ministri gjerman ka folur edhe për Banjskën duke thënë në Beograd se hetimi rreth sulmit të armatosur atje, është i një rëndësie vendimtare. Pistorious ka thënë gjithashtu se është e rëndësishme dhe e nevojshme që Serbia të vazhdojë hetimet për atë që që ka ndodhur më 24 shtator të vitit 2023 në Kosovë.
Ministri gjerman u shpreh dhe se zvogëlimi i pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën ka qenë shumë i rëndësishëm atë kohë.
“Është e rëndësishme dhe e nevojshme që Serbia të vazhdojë hetimet për ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar. Është e një rëndësie vendimtare”- theksoi ministr gjerman
Pistorius gjatë konferencës për media në Beograd tregoi edhe për temat të cilat i ka diskutuar me presidentin serb, Vuçic. Ai tha se ka biseduar lidhur me atë që Serbia të mos mbështesë tendencat secesioniste në Bosnje e Hercegocvinë dhe të mbështesë integritetin territorial të atij shteti.
“Ne nisemi nga fakti që Serbia nuk do të mbështesë tendencat e mundshme secesionite në Republikën Sërpska [entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë], por do të mbështesë integritetin dhe sovranitetin e shtetit atje” – tha Pistorius.
Zyrtari i lartë gjerman sërish i bëri thirrje Serbisë që të miratojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
I pyetur për ndikimin rus, presidenti serb, Aleksander Vuçic, tha se ndikimi ekonomik i Rusisë në Serbi është pakrahasueshëm më i vogël sesa i Gjermanisë.
Ndërkaq, përsa i përket ndikimit politik, Vuçic tha se nuk mund të flasë për të gjithë aktorët, por theksoi se ndoshta Rusia mund të ketë ndikim te disa, e te disa të tjerë jo. Lideri serb tha se vetëm populli i Serbisë ka ndikim në kryeministren, presidentin, Parlamentin e shtetit.
“Askush nuk mund të më jap urdhra nga Uashingtoni apo nga Moska, nga Berlini, apo askund tjetër. Serbia i merr vetë vendimet pa ndikimin e askujt” – potencoi presidenti serb