logo
Skenarët e mundshëm të mandatit të Fredi Belerit dhe Bashkisë Himarë

Skenarët e mundshëm të mandatit të Fredi Belerit dhe Bashkisë Himarë

12 Mars, 2024
11:39

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimet e Rënda në fillim të marsit dënoi me dy vite burg kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ndërkohë që mbrojtja e Belerit pritet ta Apelojë vendimin e GJKKO, ekspertët shpjegojnë për Faktoje skenarët se çfarë ndodh me mandatin e Bashkisë Himarë, pasi vendimi të marrë formën e prerë, ose nëse kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro jep dorëheqjen.

Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi me dy vjet burg kryetarin e zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit në Bashkinë Himarë, Fredi Beleri. Ai u vendos pas hekurave të qelisë së paraburgimit dy ditë përpara zgjedhjeve vendore, të cilat i fitoi përballë kandidatit socialist në Himarë, Jorgo Goro.

Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, Beleri nuk u lejua të kryejë betimin për të marrë mandatin e kryebashkiakut të Himarës, duke lënë në karrgien drejtuese të Bashkisë kryetarin e zgjedhur në vitin 2019, Jorgo Goro.

Por çfarë ndodh me mandatin e Bashkisë Himarë pas këtij vendimi të GJKKO?

Eksperti ligjor, njëkohësisht ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z.Kristaq Kume shpjegoi për Faktoje se vendimi për momentin nuk prodhon asnjë efekt lidhur me bashkinë e Himarës.

Kjo sepse ky vendim nuk është përfundimtar dhe do të ankimohet. Vetëm pasi vendimi të marrë formën e tij përfundimtare, fillon pas kësaj procesi i trajtimit të efekteve të tij në Bashkinë e Himarës.” – Kristaq Kume për Faktoje.

Në varësi të vendimit që do të japë shkalla e dytë e Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përcaktohet edhe skenari vijues që do t’i japë zgjidhje situatës së krijuar në Bashkinë e Himarës.

Sa kohë që jemi në kushtet kur nuk kemi një vendim të formës së prerë, bashkinë e Himarës sipas ligjit do vijojë ta drejtojë zoti Goro.” – argumenton Kume, i cili shpjegon se e vetmja mënyrë sesi z.Goro mund të largohet nga kjo detyrë – përpara shprehjes së gjykatës – është përmes dorëheqjes. “Nëse z.Goro jep dorëheqjen, detyra i ngarkohet një nga 2 nënkryetarëve të bashkisë që janë sot në Bashkinë e Himarës.” – vijon Kume.

Skenari 1 – Beleri shpallet i pafajshëm

Nëse vendimi në formën e tij përfundimtare do ta shpallë të pafajshëm Fredi Belerin, ai do të shkojë të bëjë betimin dhe të marrë detyrën e kryetarit të Bashkisë Himarë.

Skenari 2 – Beleri shpallet fajtor nga apeli i GJKKO

Nëse Fredi Beleri do të shpallet fajtor edhe nga shkalla e dytë e Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, Kristaq Kume shpjegon se mbi zotin Beleri fillon të veprojë ligji për dekriminalizimin.

Ky ligj parashikon se një vepër penale si kjo për të cilën akuzohet dhe dënohet zoti Beleri, çon në ndërprerejen e mandatit të funksionarit publik dhe pamundëisnë e e tij për të kandiduar në një proces të ardhshëm zgjedhor, nëse ndërkohë do ta ketë mbaruar dënimin.

Në këtë rast nëse Beleri shpallet fajtor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpret atij mandatin, njofton Këshillin e Ministrave për ndërprerjen e mandatit. Këshilli i Ministrave njofton Presidentin e Republikës dhe ky i fundit shpall zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Himarë.” – argumenton Kristaq Kume.

Skenari 3 – Beleri shpallet fajtor 6 muaj përpara zgjedhjeve vendore të rradhës

Nëse procesi në gjykatën e Apelit do të zgjasë, Kume parshikon një tjetër skenar të mundshëm që aplikohet vetëm në rast se vendimi i apelit del deri në 6 muaj përpara përfundimit të mandatit aktual të të zgjedhurve vendorë të 14 majit.

Nëse vendimi jepet deri në 6 muaj përpara zgjedhjeve vendore të radhës dhe zoti Beleri dënohet, në bashkinë e Himarës nuk bëhen zgjedhje. Kështu e parashikon Kodi Zgjedhor. Në këtë rast Këshilli Bashkiak do të zgjedhë një nga anëtarët e tij për të kryer detyrën e kryetarit të Bashkisë.” – shpjegon kristaq Kume për Faktoje.

Por kjo ndodh vetëm nëse mandati i zotit Beleri do të ndërpritet si rezultat i vendimit përfundimtar të Gjykatës dhe veprimit të ligjit të dekriminalizimit 6 muaj përpara përfundimit të mandatit të këtyre zgjedhjeve, pra do duhet të kalojnë edhe rreth 2 vjet.

/Faktoje

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Granit Xhaka realizon super gol nga distanca për Bayer Leverkusenin
lexo artikullin