Sistemi i ri në Eurostar, frika e pritjes deri në 14 orë!
Kryebashkiaku i Londrës shqetësohet se ‘kaosi’ mund të shkaktohet nga kontrollet e reja të BE-së – Një komitet parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar kishte paralajmëruar për vonesa të konsiderueshme deri në 14 orë
Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan shprehu shqetësimin e tij për “sinjalin e tmerrshëm” që Eurostar mund t’i dërgonte botës kur një sistem i ri i kontrollit të pasagjerëve të hyjë në fuqi për hyrje/daljet nga Bashkimi Evropian.
Shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në Bashkimin Evropian do t’i nënshtrohen një sistemi të automatizuar të hyrjes/daljes (EES) nga fundi i vitit 2024.
Kjo bazë e të dhënave qendrore do të përfshijë në veçanti fotografitë e fytyrës së udhëtarit dhe gjurmët dixhitale të gishtërinjve.
Muajin e kaluar një komitet parlamentar britanik paralajmëroi për vonesat e konsiderueshme, deri në 14 orë sipas anëtarëve të tij, që sistemi EES mund të shkaktojë në kufi.
Dhe veçanërisht në stacionin hekurudhor të Londrës St Pancras, ku mbërrijnë trenat e Eurostar, një lidhje hekurudhore thelbësore për kryeqytetin britanik.
“Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, këto kontrolle të reja në epokën pas Brexit do të bëjnë kërdi në St Pancras, me shërbime të reduktuara dhe radhë potencialisht të mëdha për pasagjerët në kohën e pikut,” tha kryebashkiaku laburist i Londrës.
Ai i bëri thirrje qeverisë që “të mos i lajë duart” nga kjo “pasojë e menjëhershme e Brexit”, e cila do të dërgonte “një sinjal të tmerrshëm për turistët dhe bizneset në mbarë botën”, në një kohë kur ekonomia britanike mezi po rimëkëmbet pas Covid-19.
Kompania hekurudhore Eurostar, si dhe High Speed 1 (HS1), e cila operon linjën hekurudhore, e cila lidh Londrën me hyrjen e tunelit të Kanalit La Manche shprehu gjithashtu shqetësim.
Eurostar beson se sistemi i ri fillimisht ishte projektuar për aeroporte dhe jo për terminale të vendosura në stacionet e trenave.
Kryebashkiaku i Londrës vlerëson se stacioni St Pancras do të ketë vetëm 24 sportele kontrolli EES, të cilat do të sigurohen nga qeveria franceze, “ndërsa modelet sugjerojnë se pothuajse 50 do të nevojiten gjatë orëve të pikut”.
“Prandaj, ministrat duhet t’i japin HS1 dhe Eurostar të gjithë mbështetjen që u nevojitet për t’i zgjidhur këto çështje si çështje urgjente. Reduktimet e shërbimit dhe vonesat më të gjata thjesht nuk janë një opsion,” këmbënguli Sadiq Khan.
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip