Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, Baerbock: Jetike për Bashkimin Europian!!
Rreziku që paraqet Moska për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor shton dhe më shumë nevojën për mbështetje të fortë në rrugëtimin e tij drejt BE-së: Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e bëri të qartë se vëmendja ndaj rajonit është në interes të vetë bllokut, i cili, siç tha ajo, nuk mund të përballojë “zona gri” të sigurisë.
Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ketë kudo në Europë zona gri dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për të mbyllur krahët që Rusia mund t`i përdor në politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe ndërhyrjes. Kjo përfshin mbështetjen për shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e institucioneve të tyre demokratike, në përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre dhe në ofrimin e mundësive ekonomike për njerëzit”- u shpreh Annalena Baerbock.
Komentet e saj, ministrja e jashtme gjermane i bëri përpara nisjes për një vizitë në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Me herët Bashkimi Europian i bëri thirrje këtyre dy vendeve së bashku me Kosovën, Shqipërisë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që të zbatojnë reformat e nevojshme për integrim. Mali i Zi rezulton, sipas Brukselit, vendi i rajonit që ka shënuar më shumë përparim në këtë proces, por ritmi është i ngadaltë.
Bosnje Hercegovina e mori dhjetorin e 2022-shit statusin e vendit kandidat, ndërsa nuk i ka çelur ende negociatat e anëtarësimit. E vetmja që nuk e ka asnjë status të tillë, dhe mbetet e fundit në rrugën drejt BE-së, është Kosova.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip