Shuhet shqipja e valles shqipe, Lili Cingu
Ka ndërruar jetë ikona e valles shqipe, Lili Cingu, këngëtarja më e famshme në dekada e Asamblit të Këngëve dhe Valleve.
Lajmin e trishtë e ka dhënë Abigeila Voshtina, drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke shkruar:
“E trishtë ndarja nga jeta e Mbretëreshës së valles shqiptare, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur”.
“Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi”, shkruan ajo.
Kujtojmë se Lili Cingu, së bashku me emra dhe si Rrexhep Çeliku, tjetër emër i shuar i valles shqiptare, ishin pjesë e asaj plejade artistësh të Shqipërisë komuniste që korrën famë dhe në skenat ndërkombëtare, jo domosdoshmërisht me art socialist, ndonëse kërcyen mjeshtërisht dhe të famshmen “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, dedikuar sistemit që e udhëhiqte. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip