logo
Shtrenjtimi i çmimeve, ndërtuesit sqarojnë: Shkak, rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe…

Shtrenjtimi i çmimeve, ndërtuesit sqarojnë: Shkak, rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe…

3 Mars, 2024
9:33

Ndër faktorët kryesorë të rritjes së çmimeve të pronave për këtë vit, sipas Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, është shtimi i kostove nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë, fuqisë punëtore dhe materialeve të ndërtimit.

“Taksat në bashki janë shumëfishuar, përqindja e pronarëve për truallin e ndërtimit është rritur, koha që merr për daljen e një leje është rritur ndjeshëm, çka do të thotë më shumë kosto, cilësia e ndërtimit gjithashtu, ndërsa euro është zhvlerësuar”, pohon kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.

Një nga ndërtuesit e objekteve të reja në Bulevardin e Ri të Tiranës pohoi se pas rritjes së çmimeve të referencës, detyrimet e tij për taksën e ndikimit në infrastrukturë për metër katror janë rritur 100%.

“Nëse vitin e kaluar, kostoja për metër për taksën e ndikimit në infrastrukturë ishte 50 euro, pas rritjes së çmimeve të referencës kam paguar 100 euro për metër katror ndërtim”.

Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e të tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

Për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës, të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri në 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Rritje pati edhe për 5 komuna të kryeqytetit, si Kashari, Petrela, Preza, Farka dhe Dajti.

Në vitin 2022, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliardë lekë dhe për 2023, 7 miliardë lekë. Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë, referuar të dhënave nga buxheti, në vitin 2024 pritet të jenë në vlerën e 6,3 miliardë lekëve dhe në periudhën 2025-2026, 6,5 miliardë lekë.

Shpenzimet për paga me qëllim frenimin e emigracionit të fuqisë punëtore kanë goditur në kosto edhe zhvilluesit e objekteve të ndërtimit. Rritja e pagave renditet një tjetër arsye që ka sjellë shtrenjtim çmimesh.

Burimi: vovmagazine.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Erjola Doçi rifutet në shtëpi me biletën e fatit dhe një tjetër banor largohet nga “BBV”! Kush janë dy konkurrentët e rinj që u bënë pjesë e lojës?
lexo artikullin