logo
Shpërthimi trondit Lushnjen, 2 të vdekur dhe 6 të plagosur, mes tyre deputeti i PS

Shpërthimi trondit Lushnjen, 2 të vdekur dhe 6 të plagosur, mes tyre deputeti i PS

1 Mars, 2024
19:41

Dy të vdekur dhe 6 të plagosur, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, është bilanci i konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet, i një shpërthimi të ndodhur këtë pasdite në një magazinë në Lushnje. Personat që humbën jetën janë babë e bir.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 te “rreth-rrotullimi i Plasmasit”, në zonën industriale të qytetit. Zyrtarisht, policia lokale bëri me dije se “në një kapanon në ndërtim, dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm”.

Sipas burimeve policore, vinçi dyshohet se ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen që përdoren për saldim.

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën Landi Verçani, drejtues i vinçit dhe djali tij 24-vjeçar. Të dy ishin brenda mjetit kur ndodhi shpërthimi. Landi Verçani humbi jetës fill pas ngjarjes, ndërsa i biri disa orë më vonë, pas transportimit nga spitali i Lushnjes drejt spitalit të “Traumës” në Tiranë.

Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur. Mes të lënduarve është dhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, i cili sipas informacioneve paraprake ka në bashkëpronësi magazinën ku ndodhi shpërthimi. Ligjvënësi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe sipas burimeve spitalore gjendja e tij tanimë është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të njëjtave burime, deputeti Çela dhe një tjetër i plagosur janë transportuar drejt spitalit të “Traumës” në Tiranë, për mjekim më të specializuar.

Katër të lënduarit e tjerë kanë dëmtime më të lehta dhe po marin mjekim në spitalin e Lushnjes. Në ndihmë të mjekëve reanimatorë, në spitalin e Lushnjes kanë shkuar dhe kolegë nga spitali i Fierit dhe ai i Beratit.

Shpërthimi, sipas dëshmive të banorëve, raportohet të jetë dëgjuar i fuqishëm në qytet. Dëme të shumta materiale janë shkaktuar dhe në bizneset e tjera e banesat pranë vatrës së shpërthimit. Në disa prej tyre ka pasur thyerje të xhamave, dëmtime të dyerve dhe mureve.

Pamjet e shpërthimit fiksuar nga një kamera sigurie

Nga pamjet e një kamere sigurie që ka fiksuar një kënd të momentit kur ndodh shpërthimi, shquhen persona që me gjasë të frikësuar dhe tronditur, vrapojnë për tu larguar nga ambientet e një biznesi aty pranë.

Një hetim ka nisur nën drejtimin e prokurorisë së rrethit për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla flet për gazetarët jashtë spitalit të Lushnjes

Lexo edhe:

Banorët rrëfejnë shpërthimin në Lushnje: Ishte e frikshme! Llamarinat u ngritën në ajër…

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Banorët rrëfejnë shpërthimin në Lushnje: Ishte e frikshme! Llamarinat u ngritën në ajër…
lexo artikullin