logo
Shpërthimi në Lushnje, arrestohet kontraktori i deputetit Çela/ Zbardhet dëshmia

Shpërthimi në Lushnje, arrestohet kontraktori i deputetit Çela/ Zbardhet dëshmia

5 Mars, 2024
12:20

Pronari i kompanisë që kishte një kontratë me deputetin socialist Bujar Çela për kryerjen e punimeve në magazinën ku ndodhi shpërthimi që shkaktoi dy të vdekur dhe 7 të plagosur, është arrestuar.

Pasditen e djeshme, u vu në pranga Leonard Gjini, 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, pronar i Gjini Konstruksion sh.p.k. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtës në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”, thuhet në një njoftim të policisë, shpërndarë për mediat këtë të martë.

Dëshmia e të arrestuarit: S’kam kryer asnjë punim

Leonard Gjini është marrë në pyetje pas ngjarjes nga policia dhe ka deklaruar se në vendngjarje nuk ka pasur asnjë punonjës së tij, pasi ende nuk kishte nisur punë që prej lidhjes së kontratës.

“Është pyetur shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur në datën 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Çela – ndërtim magazine, e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023. Objekti kishte një vlerë prej 17963280 lek e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhej me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktë për të kryer punime në këtë objekt. Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin që do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, thuhet në procesverbalin e polisë lokale.

Arrestimi i kësaj të marte është i pari nga policia lidhur me ngjarjen e 1 Marsit në Lushnje.

Përveç kushteve të punës, policia gjeti shkelje në lejen e ndërtimit të magazinës nga deputeti Çela. Sipas hetimeve paraprake, magazina ku po punohej, në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela, një ndër të plagosurit, ishte në shkelje të lejes së ndërtimit. Megjithatë, ende nuk është ngritur akuzë ndaj deputetit.

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Kokainë dhe mijëra fara kanabisi në makinë, arrestohen 2 persona në Vaun e Dejës
lexo artikullin