Shpërthimi me 2 të vdekur dhe 7 të plagosur në Lushnje, arrestohet sipërmarrësi Leonard Gjini!
Policia ka arrestuar sipërmarrësin 32-vjeçar, Leonard Gjini në Lushnjë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën babë e bir dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dhe deputeti i PS, Bujar Çela.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se Leonard Gjini, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.
Kujtojmë se shpërthimi ndodhi pasditen e së premtes (1 mars) teksa një vinç ku ndodheshin dy viktima Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime.
Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.
Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetit i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte pronar i kapanonit që po ndërtohej.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.
Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:
L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.
Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip