Sherr në Tiranë/ Kanosi me armë zjarri 26-vjeçarin, arrestohet i riu, procedohen 2 të tjerë
Policia e Tiranës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes disa të rinjve.
Në pranga është vënë një 21-vjeçar i cili kanosi me armë zjarri një 26-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, për motive pronësie. Ndërkohë janë proceduar penalisht 2 të rinjtë e tjerë të përfshirë në konflikt.
Janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, që u gjetën në banesën e 21-vjeçarit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për një konflikt të çastit mes disa shtetasve, gjatë të cilit njëri nga shtetasit kishte kanosur me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Trinom”, për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Gjatë këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasi E. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, dhe një shtetas 17 vjeç.
Këta shtetas janë konfliktuar dhe kanë kanosur me armë zjarri, për motive pronësie, shtetasin E. Ç., 26 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak të llojeve të ndryshme.”– njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip