Samiti për Ukrainën, Rama: Takim solidariteti për angazhimin e mëtejshëm kundër agresionit rus!
Para takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili nga mbrëmë ndodhet në Tiranë dhe sot merr pjesë në samitin e rëndësishëm “Ukrainë-Europa Juglindore”, kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, ku thekson se ky samit është një takim solidariteti dhe angazhimi të mëtejshëm kundër agresionit rus në Ukrainë.
Pas orës 08:00, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani doli në një konferencë me homologun ukrainas Dmytro Kuleba. Hasani veçoi përparësinë që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës në forumet ndërkombëtare, si dhe shfaqi shpresën për hapjen e ambasadës tonë në Kiev, brenda vitit.
Kuleba vlerësoi Shqipërinë, duke iu referua si “mike e mirë”.
Për samitin Ukrainë-Europa Juglindore, krahas Volodymyr Zelenskyy-t, marrin pjesë edhe presidentet e Moldavisë e të Kosovës, Maia Sandu dhe Vjosa Osmani, ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo e kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Përmes video-lidhjeve, mes atyre që do t’i bashkohen takimit janë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip