“Rrjetet sociale rrisin dhunën”/Qëndrimi shumë orë, ndikon në përhapjen e bullzimit
Përdorimi në masë i rrjeteve sociale sjell pasoja tek të rinjtë. Agresiviteti dhe dhuna nxiten përmes të rinjve në rrjetet sociale.
Për psikologët, duhet të ketë masa parandaluese, pasi shumë raste kanë përfunduar edhe në konflikte fizike. Rasti i fundit u regjistrua një ditë më parë në Fier ku humbi jetën 19-vjeçari.
Dhuna në rrjetet sociale po rrit agresivitetin dhe bullizmin në shkolla.
“Çdo ditë e më shumë, intensiteti i referimit të rasteve për ‘cyberbullying’ apo për shqetësime, që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët është rritur shumë”, tha psikologia Arjola Percaku.
“Kjo lidhet me faktin, që të rinjtë ekspozohen më shumë dhe qëndrojnë më gjatë në rrjete sociale”, shtoi ajo.
Që kalojnë shumë orë të ditës në rrjete sociale e pranojnë dhe vetë të rinjtë.
“Gjithë ditën, 24 orë ‘non stop’”, tha një vajzë e intervistuar.
“Janë shumë të rrezikshme për vajzat që janë të fokusura në rrjete sociale dhe telefona”, tha një tjetër vajzë.
Jo vetëm për vajzat, për psikologen është shqetësues një fakt.
“Janë pikërisht këto rrjete sociale, që i përfshijnë shpeshherë në konflikte edhe me persona që ata nuk i njohin. Ky është një nga rreziqet më të mëdha”, tha psikologia Arjola Percaku.
Por ndërsa diskutohet mbyllja e rrjetit social “Tik-Tok”, për psikologen dhe të rinjtë kjo nuk është zgjidhje.
“Shumë njerëz punojnë në to. Nuk mendoj se duhet të mbyllen fare, por mund të vënë masa kufizuese”, tha një djalë.
“Po tani ne çuna të rinj jemi, mos të na e mbyllin, se jemi mësuar tani, na është bërë pjesë e jetës”, tha një tjetër i ri.
“Nëse prindi bën ndërhyrjen e duhur në menaxhimin e kohës së fëmijës, nëse shkolla motivon interesin e fëmijës për ecurinë mësimor, nëse shoqëria promovon ato që janë sjellje pozitive dhe të duhura, të gjithë ne së bashku do të përmirësojmë të gjithë atë që duhet për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre”, tha psikologia Arjola Percaku.
Të dhënat nga katër drejtori rajonale të arsimit parauniversitar në vendin tonë flasin për një trefishim të rasteve të raportuara të bullizmit në pesë vitet e fundit.
Nisur nga rastet e vetëvrasjeve për shkak të keqpërdorimit të rrjeteve sociale, disa ekspertë hodhën për diskutim opsionin për mbylljen e “Tik-Tok”-ut, rrjetit social më të përdorur nga adoleshentët dhe të rinjtë.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip