Një plagosje me thikë dhe përforcues grushti ka ndodhur pasditen e sotme, në lagjen nr.10 në Korçë. Sipas informacioneve paraprake të bëra me dije nga Policia, një 16-vjeçar është qëlluar me thikë nga një 21-vjeçar. Po sipas të dhënave të para, raportohet se i mituri dhe i riu janë konfliktuar për motive banale. Më pas, situata ka agravuar. Aktualisht adoleshenti i dëmtuar, ndodhet në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Paralelisht, Polica ka nisur nga puna për kapjen e 21-vjeçarit dhe 2 bashkëpunëtorëve të tij që janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.
16-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar me automjet. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.