logo
Putin i rikthehet kërcënimeve mbi përdorimin e armëve bërthamore!

Putin i rikthehet kërcënimeve mbi përdorimin e armëve bërthamore!

13 Mars, 2024
11:00

Presidenti rus, Vladimir Putin vuri në dukje sot se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse kërcënohet shtetësia, sovraniteti apo pavarësia e saj. Por, theksoi se shpreson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor.

Kjo deklaratë e Putinit është një tjetër paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit, para zgjedhjeve presidenciale të së dielës, në të cilat ai e ka të sigurt fitoren e mandatit të gjashtë presidencial.

Duke folur në një intervistë për televizionin shtetëror dhe që u transmetua sot në mëngjes, Putin e përshkroi presidentin amerikan, Joe Biden, si “politikan veteran, i cili i kupton rreziqet e mundshme të përshkallëzimit” e shtoi se nuk mendon se bota po shkon drejt një lufte bërthamore.

Në të njëjtën kohë, vuri në dukje se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe se nga pikëpamja tekniko-ushtarake, ata janë të gatshëm.

Lideri rus ka folur vazhdimisht në lidhje me gatishmërinë për të përdorur armë bërthamore, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Kërcënimi më i fundit i këtij lloji erdhi gjatë një fjalimi që mbajti para kombit në shkurt kur paralajmëroi Perëndimin se thellimi i përfshirjes së tij në luftën në Ukrainë, rrezikon nxitjen e një lufte bërthamore.

I pyetur në intervistë nëse e ka menduar ndonjëherë përdorimin e armëve bërthamore në fushëbetejë në Ukrainë, Putin theksoi se nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë.

Gjithashtu, shefi i Kremlinit shprehu bindjen e Moska do t’i arrijë synimet në Ukrainë dhe e mbajti të hapur mundësinë për bisedime, duke nënvizuar se nevojiten garanci të forta nga Perëndimi për një marrëveshje të mundshme.

Putini deklaroi edhe se rritja e sulmeve ukrainase me dronë brenda Rusisë në ditët e fundit është pjesë e përpjekjeve për të penguar zgjedhjet presidenciale treditore në Rusi, të cilat nisin të premten. Në një tjetër zhvillim, autoritetet ruse raportuan për një tjetër sulm të madh ukrainas me dronë sot në mëngjes.

Burimi: vovmagazine.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Tronditëse, familja i organizoi festën e ditëlindjes, 19-vjeçari i vret të gjithë me thikë
lexo artikullin