Prishtina fiton gjysmëfinalen dramatike me Bashkimin, avancon në finale
Sigal Prishtina është finalistja e dytë e “Final 8” të Kupës së Kosovës dhe në ndeshjen finale të këtij turneu do të përballet me Trepçën.
Prishtina në gjysmëfinalen e dytë, që ishte tejet dramatike e mposhti skuadrën e Bashkimit me shifrat 71:66.
Në duelin e luajtur në Gjakovë të enjten mbrëma, fituesi u vendos në fund të takimit pasi ishte një dramë e vërtetë deri në momentet e fundit.
Prishtina i fitoi tre çerekët e parë, ndërsa Bashkimi ishte më i mirë në periudhën e fundit, por që kjo nuk mjaftoi për ta evituar humbjen dhe eliminimin në gjysmëfinale.
Shaheed Davis, i cili edhe u shpall MVP i ndeshjes, ishte më i dalluari te Prishtina. Davis ndeshjen e përfundoi me 21 pikë e 5 kërcime, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe kapiteni Dardan Berisha që pati 19 pikë të shënuara.
Te Bashkimi, më efikasit ishin Altin Morina e Isiah Umipig që shënuan ga 14 pikë secili.
Ndeshja finale mes Trepçës dhe Prishtinës, do të zhvillohet të shtunën prej orës 17:00, po ashtu në Gjakovë. Në fakt, këto dy skuadra u përballen edhe në finalen e edicionit të shkuar, të cilën e fitoi Trepça.
Burimi: teve1.info
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip