Presidenti Begaj vizitë në Elbasan: Të promovosh vlerën kundrejt antivlerës, mision i vështirë!
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Elbasan ku u takua me autoritetet drejtuese të qytetit, sipërmarrës, nxënës të shkollës profesionale, pedagogë, përfaqësues të artit, kulturës dhe të komuniteteve fetare, qytetarë të Elbasanit.
Presidenti pasi u njoh me projektet zhvillimore, punën që bën Bashkia e Elbasanit në bashëkupunim me komunitetin, vlerësoi vëmendjen që ky institucion i ka kushtuar fuqizimit të shoqërisë civile për një ekspertizë dhe konsultim komunitar në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Më pas Presidenti Begaj bisedoi me shkrimtarë, artistë dhe përfaqësues të jetës kulturore, në një takim të zhvilluar në bibliotekën e qytetit, ku përgëzoi stafin për ruajtjen e pasurise së fondit arkivor, ruajtjen e trashëgimisë së librit dhe qasjen ndaj dijes. “Ruajtja e ekzemplarëve të rrallë është vërtet për t’u vlerësuar”- u shpreh Presidenti ndërsa vizitoi Bibliotekë! “ Qemal Baholli” dhe fondin e Albanoligjise “Lef Nosi të kësaj biblioteke.
Gjatë vizitës në Elbasan, një rëndësi të veçantë, Presidenti i kushtoi kulturës së dialogut dhe respektit ndërfetar. Ai u takua me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në Elbasan të cilët kanë një Qendër të Bashkëpunimit Ndërfetar, e cila njihet për aktivizim të përbashkët në çështjet e komunitetit dhe shkëmbimit të vlerave fetare. Një ndër këto është dhe Marshimi i Paqes, një aktivitet- simbol i ndërveprimit qytetar të të gjithë besimeve fetare.
Presidenti e cilësoi këtë si një model të harmonisë ndërfetare mes shqiptarëve.
Studio e piktorit Gazmend Xhaferri ishte ndalesa tjetër e Presidentit Begaj, ku u njoh me historinë e kësaj familjeje prej katër artistësh, e sjell në piktura, si ruatje të traditës së piktorit Sefedin Xhaferri.
Ndërsa gjatë vizitës në shkollën profesionale, mjeshtrat e ardhshëm të kuzhinës ekspozuan gatimet e tyre. “Unë jam i sigurtë- u shpreh Presidenti para nxënësve -që këtë shkollë profesionale e keni zgjedhur me dashuri, e kur gjërat bëhen me dashuri, bëhen më mirë. Ju keni një treg të madh që ju ofron mundësi të panunërta por unë do të dëshiroja e do të uroja që ju të jeni kuzhinierët më të mirë të produkteve Made in Albania”. Ai vizitoi në këtë shkollë edhe repartet e praktikakës së mekanikëve.
Më pas Presidenti u takua edhe me sipërmarës të prodhimit dhe eksportit të kolltuqeve, në “Today Sofa”, një kompani italiane e drejtuar nga shqiptarët, ku punojnë rreth 75 persona.
Gjatë qëndrimit në Elbasan, kreu i shtetit vizitoi Muzeun Etnografik të Elbasanit, që njihet si “Shtëpia e Sejdinëve” ndërtesë e shekullit të 18-ë, si edhe Kishen dhe manastirin e Shën Joan Vladimirit, ku kanë jetuar e punuar Kristoforidhi e shumë gjuhëtarë të tjerë veprimtar të Elbasanit.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip