Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërsa ka theksuar se Kosova nuk e ka ndaluar përdorimin e dinarit në territorin e saj, ka potencuar se ai personalisht “nuk ka asgjë kundër serbëve”.
“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, qytetarët serbë mund t’i mbajnë dinarët, por Euroje është valuta e vetme si mjet pagese”.
Kurti ka premtuar se Qeveria e Kosovës do komunikojë më shumë me serbë dhe t’i informojë ata për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës në ditët vijuese përgjatë muajit.
“Do të flas përsëri serbisht që serbët të më kuptojnë më mirë e më qartë. Nuk kam asgjë kundër serbëve, kam miq që janë serbë, kam ministë nga komuniteti serb. Kriminelët janë individë, nuk ka komunitet që është kriminel. Mund të ketë struktura kriminale, por nuk mund të ketë komunitete apo popull që është kriminal, asnjëherë” – theksoi kryeministri I Kosoves
Duke folur për kritikat e parashtruara ndaj tij se po ndërmerr veprime të njëanshme, Kurti ka potencuar se “unë jam kryeministër për shkak se Kosovës është Republikë”.
“Po të mos ishte vendi im Republikë, unë nuk mund të bëhesha kryeministër, pra mbroj interesat e një republike demokratike”.
Sipas Kurtit, Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësia është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha Kurti
Të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendon se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.