Përballje kryeministër-pensionistë: në Tiranë protestohet e në Durrës bisedohet
Parelel me një takim të kryeministrit Rama me pensionistë në Durrës, në një fushatë për t’u shpalosur atyre inisiativën qeveritare për rritje pensionesh, para Kryeministrisë, një masë pensionistësh kanë protestuar për pra për të njëjtën gjë.
“Kemi dalë këtu për të drejtat tona. Jam minator i Memaliajt dhe sot marr një pension qesharak. Kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensioneve. I bëjmë thirrje qeverisë të shikojë statutin e minatorëve”, tha njëri prej tyre.
Ndërsa nga Durrësi, Rama do thoshte:
“Ka disa lloj sharlatanësh që premtojnë lloj e lloj çudish. Ndërkohë ngrenë lloj lloj akuzash e prandaj është e rëndësishme që të flasim drejtpërdrejt në bazë të fakteve. Në radhë të pare, është koha për ta bërë këtë diskutim kur ne jemi në kushtet që ekonomia jo vetëm po rritet, por po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Nga kjo rritje të gjitha kategoritë po përfitojnë. E vetmja kategori që nuk ka përfituar nga rritja është kategoria e pensionistëve, për të cilët ne i kemi bërë shumë gjëra, por akoma nuk e kemi bërë atë gjë që ju e prisni dhe që ne e kemi objektiv qysh ditën e parë që jemi ulur në qeveri.
Po pse na është dashur dhjetë viteve që të bëjmë këtë bisedë? Sepse rritja e pensioneve nuk është si rritja e pagave. Pagat rriten në bazë të taksave, pensionet në bazë të kontributeve. Sot secili prej jush merr nga fondi i atyre që sot janë në punë dhe derdhin një sasi të caktuar në sigurime shoqërore. Ky fond është i pamjaftueshëm. Ndryshe nga pagat, pensionet janë investimi sot për 15, 20, 30, 40 vjet i kujtdo që është në punë. Në fillimet e këtij procesi të demokratizimit kemi pasur një katastrofë të infrastrukturës së prodhimit dhe kemi pasur një dalje masive në një moshë shumë të re. Kjo ka rritur edhe numrin e pensionistëve, duke bërë që kontribuesit të vendosen në raport jo të drejtë me pensionistët”, arsyetoi Rama.
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip