Pas tensioneve politike dhe protestave, Beogradi sërish në zgjedhje!
Zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe.
Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.
Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura.
Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet në Beograd, por e diela shënoi afatin zyrtar për konstituimin e pushtetit.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për mashtrim duke i cilësuar ato sajime me qëllim të destabilizimit të Serbisë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe përparësive sistematike për partinë në pushtet.
Raporti i një zyre të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.
Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.
Opozita dhe disa vëzhgues lokal të zgjedhjeve thanë se votuesit nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobus në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçiç është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin në vendin ballkanik mbi një dekadë më parë.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip