Nuk “zbatohet” urdhëri i Erdogan? Bujar Spahiu rizgjidhet në krye të KMSH-së
Bujar Spahiu është rizgjedhur për një tjetër mandat 5-vjeçar në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Zgjedhjet u mbajtën këtë të shtunë tek Medreseja e Tiranës, teksa përballë Spahiut ishin edhe administratori i myftinisë së Durrësit Aduard Shefki, si dhe myftiu i Breatit Emirjon Vathaj.
Bujar Spahiu ka arritur të marrë 82 vota nga 92 anëtarë të Kryesisë që kanë votuar në total. Ndërkohë, dy kandidatët e tjerë në garë kanë marrë nga 3 vota secili, ndërsa 4 vota janë shpallur të pavlefshme.
“Të nderuar vëllezër dhe motra kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Ftoj cilindo të shpreh lirisht mendimet e tyre. Cilido prej jush do të vijojë gjet një atmosferë të mirë të lirisë së shkëmbimeve idesh dhe këshillimi të ndërsjelltë sa i shërben qëllimit dhe misionit. Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijoi të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Do japim kontributin që Shqipëria të jetë më e begatë . Do vijojmë të japim kontributin tonë që të përparojë drejt Evropës. Do bëjmë çmos që familja të jetë e shëndetshme. I lutemi Zotit të jetë krah nesh për ta çuar përpara këtë punë. Le të kthejmë sytë nga Zoti dhe t’i lutemi atij të bëjmë të mirën dhe të refuzojmë të keqen. Amin.”, tha Bujar Spahiu gjatë një fjalimi të mbajtur pas fitores.
Këto zgjedhje u mbajtën mes akuzave dhe polemikave se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i kapur nga njerëzit e Fet’hullah Gylenit, ose siç e konsiderojnë ata, organizata FETO.
Një grup besimtarësh myslimanë i konsideronin këto zgjedhje si një teatër të orkestruar, pasi sipas tyre, dihej fitorja e Bujar Spahiut, të cilin e konsiderojnë si një njeri të Fet’hullah Gylenit.
Ata kanë protestuar ditën e sotme jashtë Medresesë së Tiranës, ku me pankarta në duar i kanë bërë thirrje që gylenistët të largohen nga KMSH-ja. “Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”, “FETO Leave Albanian Islam Alone”, “Legjitimitet për KMSH-në”, “Gylenistë ne nuk iu duam”, ishin disa prej pankartave që mbanin ata në duar.
Pas përfundimit të zgjedhje, ky grupim e konsideroi fitoren e Spahiut, si tek zgjedhjet në kohën e komunizmit, teksa paralajmëruan se do ta çojnë në gjykatë, jo votimin e sotëm, por mënyrën se si këshillat kanë zgjedhur myftinitë nëpër rrethe.
“Ai teatër për të cilin kemi folur u realizua dhe u vërtetua. Bujar Spahiu u zgjodh si në zgjedhjet e komunizmit. Gjithçka do të ndiqet në gjykatë. Jo ky votim, pasi ky votim u bë nga një Kuvend që dihej. Por për mënyrën se si janë zgjedhur nga Këshillat myftinitë e rretheve. Ashtu si edhe në Turqi, organizata FETO po tenton të kapë institucionet.” – deklaroi njëri prej tyre.
Në lidhje me xhaminë e namazgjasë në Tiranë, ata thanë se shpresojnë që të hapët për mënyrën se si po flitet.
“Na vjen keq që kjo xhami ka mbetur e mbyllur. Po shpresojmë të zgjidhet sipas mënyrës që po përflitet. Ku të administrohet nga ata që e kanë investuar. Kjo nuk është jashtë juridiksionit të KMSH-së. Për ne Turqia nuk mund t’ia dorëzojë këtë xhami një organizate të cilën e ka konsideruar terroriste.” – u shpreh më tej.
Ndërkohë, thuhet se ditën e djeshme, Laurent Luli ka lënë postin e Myftiut të Tiranës dhe është bërë nën/kryetar i KMSH-së. Ndërsa vendin e tij e ka zënë Gazment Teqja.
Kujtojmë se rreth dy javë më parë Laurent Luli u purzu myslimanlët nga xhamia “Dine Hoxha” tek Rruga e Kavajës, duke e konsideruar si gylenist.
Vlen të theksohet fakti se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, prej vitesh po i kërkon kryeministrit Edi Rama “pastrimin e mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Këtë kërkesa ia përsëriti edhe në vizitën e fundit zyrtare në Ankara më 20 Shkurt.
“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”– theksoi Erdogan.
Peng i kësaj kërkese ka mbetur xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e investuar nga Turqia, e cila edhe pse ka mbaruar prej kohësh, ende nuk është inaguruar, për shkak se Erdogan i kërkon Ramës pastrimin e KMSH nga organizata “FETO”.
Pamje nga protesta e sotme
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip