logo
“Nuk po trajtohemi siç duhet”, qindra ankesa të pacientëve për mjekët në Kosovë

“Nuk po trajtohemi siç duhet”, qindra ankesa të pacientëve për mjekët në Kosovë

3 Mars, 2024
15:38

Mungesë vëmendjeje e kujdesi, vonesa në diagnostikim e pritje të gjata në korridore… Ankesa si këto e të ngjashme ndanë me Radion Evropa e Lirë disa pacientë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. REL-i ishte edhe vetë dëshmitar kur në një prej sallave të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, një punonjës shëndetësor, teksa i ofronte shërbimin e fizioterapisë një pacienteje, në njërën dorë mbante edhe telefonin.

Me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, mjeku, në çdo rrethanë, “duhet t’ia kushtojë të sëmurit kohën e nevojshme, jo vetëm për ta diagnostikuar dhe mjekuar në mënyrë të përshtatshme, por edhe për ta asistuar dhe për t’ia lehtësuar vuajtjen”. Në Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve thonë se pranojnë me qindra ankesa në vit, por se “trajtimi i tyre çalon”.

Oda e Mjekëve, në anën tjetër, thotë se ankesat trajtohen dhe zgjidhen në bazë të ligjeve në fuqi. Nazmi Mulaku, edhe pse ndjen se bashkëshortes së tij nuk i është ofruar trajtim i duhur as në Spitalin e Pejës, as në QKUK, nuk ka bërë ankesë – së paku “jo deri më tash”. Thotë se janë ende në procedura të diagnostikimit dhe se duhet të presin. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mulaku, banor i komunës së Istogut, thotë se mjekët në Pejë nuk kanë arritur ta përcaktojnë diagnozën e bashkëshortes, përkundër disa kontrolleve të njëpasnjëshme. Në javën e fundit të shkurtit, çifti u drejtua në QKUK.

“Më është dashur të gjej dikë për të ndërhyrë, që ta pranonin [gruan] në spital”, thotë i shoqi.

“Gruaja është në gjendje jo të mirë. Na thanë se duhet të presim. Mendoj se nuk po trajtohet qysh duhet”, shton ai.

Pritja e gjatë për shërbime është një prej ankesave kryesore të pacientëve, sipas Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë. Ankesa të shpeshta ka edhe për mënyrën jo të duhur të komunikimit të mjekëve kur pacientët kërkojnë shërbime nga ta, pastaj për barna të pamjaftueshme esenciale apo edhe për gabime mjekësore. Gjatë vitit të kaluar, shoqata ka pranuar rreth 300 syresh, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i saj, Besim Kodra.

Ai tregon se ankesat mblidhen nga shumë institucione, si QKUK-ja, Ministria e Shëndetësisë e të tjera, dhe në fund adresohen tek Oda e Mjekëve të Kosovës. Por, gjatë vitit të kaluar, siç thotë, vetëm për dy raste ka pasur përgjigje. Kodra nuk jep detaje për këto të fundit, por me ligjet në fuqi – varësisht shkeljeve që bëjnë profesionistët shëndetësorë – mund të shqiptohen një sërë masash, nga rekomandimi kolegial ose kërkimfalja ndaj pacientit deri te tërheqja e përkohshme ose e përhershme e licencës së punës. Por, Kodra thotë se “trajtimi i ankesave çalon”.

“Ministria [e Shëndetësisë], kryesisht, i bart ankesat tek odat [e mjekëve], por nuk ofron shumë mbikëqyrje përmes Inspektoratit Shëndetësor, pasi janë pak [inspektorë] në numër”, shton ai.

Ankesa, qytetarët dërgojnë edhe tek Avokati i Popullit. Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, ky institucion thotë se ato variojnë – nga vonesat në diagnostikim dhe trajtim me kohë deri te trajtimi i padinjitetshëm në mungesë të hapësirave të nevojshme. Avokati i Popullit thotë se i ka rekomanduar në mënyrë të veçantë Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) që të krijojë hapësirat e nevojshme për kontrollin gjinekologjik të grave dhe vajzave. Sipas Avokatit të Popullit, në institucionet shëndetësore në Kosovë ka “shkelje të të drejtave të njeriut për qasje në shërbime shëndetësore të dinjitetshme, cilësore dhe në kohë të duhur”.

SHSKUK-ja, që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, pranon se ato janë evidente. Anëtari i bordit, Besim Demolli, thotë se SHSKUK-së do t’i duhet të formojë një komision të veçantë, që do t’i trajtonte me urgjencë rastet e neglizhencës së mjekëve. Ai kritikon Odën e Mjekëve të Kosovës, duke thënë se ajo i mbron anëtarët e saj dhe se nuk shqipton ndëshkime të merituara.

“Me oda nuk mund ta përmirësojmë cilësinë e shërbimit dhe reagimit”, thotë Demolli.

Por, ndryshe përgjigjen në Odën e Mjekëve të Kosovës. Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it thuhet se “prokurori i Odës fillon procedurën hetimore në momentin që pranon ankesën nga pala e dëmtuar” apo “edhe kur vihet në dijeni se është bërë shkelje nga ana e mjekut”.

“Pranë Zyrës së Prokurorit të Odës, gjatë vitit 2023 deri në muajin shkurt të këtij viti, janë pranuar afërsisht 73 ankesa të natyrave të ndryshme. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë me pretendimet për mostrajtim adekuat”, thuhet në deklaratë.

Përkundër insistimit të REL-it, Oda nuk dha informacione se çfarë dënimesh ka shqiptuar kur është konstatuar shkelja. Ngjashëm edhe Ministria e Shëndetësisë – thotë se i trajton ankesat që merr, por nuk ofron shumë detaje.

“Inspektorati Shëndetësor – i cili i realizon detyrat në përputhje me ligjin, pra inspekton institucionet shëndetësore, por edhe profesionistët shëndetësorë – në rast të shkeljeve apo dështimit në dhënien e shërbimeve, merr masa në përputhje me dispozitat ligjore dhe i adreson ato tek organet kompetente”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas një raporti të kësaj ministrie në vitin 2023, numri i ankesave të pranuara nga pacientët, ka qenë 214. Prej tyre, “89 kanë marrë përgjigje”, por nuk është se qartë se çfarë. Në të kaluarën ka pasur disa raste të ndëshkimit të profesionistëve shëndetësorë që janë bërë publike. Në fund të vitit 2022, një mjek nga Gjilani është arrestuar për “trajtim të pandërgjegjshëm” të një fëmije me autizëm, në një klinikë private. Po atë vit u janë marrë licencat dhe janë arrestuar disa infermiere për keqtrajtimin e një të moshuare në një shtëpi pleqsh. Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për pritje të gjata në QKUK, mungesë barnash apo edhe mjekësh.

Marrë nga REL

Burimi: ntv.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

“Në kufirin me Serbinë ka ende probleme”, Kurti: Kosova është e kërcënuar nga…
lexo artikullin