Njëri është serb, identifikohen autorët e vrasjes së Besar Nimanit në Gjermani
Autoritetet policore në Gjermani kanë arritur të identifikoj tre persona si autor të dyshuar për vrasjen e ish-boksierit 38-vjeçar nga Kosova, Besar Nimani. Ai u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së shtunës në qytetin Bielefeld, ku jetonte prej vitesh.
Sipas Berat Nimanit, vëllait i boksierit që u vra, tre autorët e dyshuar janë një serb dhe dy kurdë.
“Më kanë informuar që nesër (sot) bëhet publik identiteti i tyre, janë futur edhe në listën e INTERPOL-it. Dihet me emra dhe mbiemra kush janë. Të dyshuar janë një serb dhe dy kurdë”, tha ai.
Më tej sipas informatave që policia ka, mendohet se të dyshuarit janë larguar nga Gjermania.
Vrasja
Sipas mediave gjermane, Besar Nimani sapo kishte parkuar makinën dhe ishte nisur drejt një restoranti, kur dy persona iu afruan. Fillimisht mes palëve pati një debat me tone të larta. Më pas, ata hapën zjarr në drejtim të 38-vjeçarit, duke e qëlluar të paktën 10 herë. Autorët më pas u larguan nga vendngjarja në këmbë.
Motivet momentalisht mbeten të panjohura. Sipas mediave gjermane, teksa nuk përjashtohet mundësia e përplasjes mes bandave, dyshimet e para janë se motivi ka lidhje me arsye personale.
Nimani rezulton person me disa precedentë. Babai i 3 fëmijëve shpesh kishte pasur probleme me ligjin dhe numëronte disa raste sjelljesh të dhunshme.
Në vitin 2012-të, gjykata e Bielefeld e dënoi atë me 1 350 euro gjobë pasi goditi një person në kokë. Një vit më pas, një zënkë në një restorant u përshkallëzua në përplasje të dhunshme. Më 4 Gusht të 2013-s, Nimani dhe njerëzit e tij u përplasën me një grup turqish. Kjo ishte hera e dytë që mes tyre kishte përplasje.
Në rastin e dytë, ishte një shok i Nimanit që dyshohet se provokoi palën tjetër dhe pasi u përplasën me fjalë, ish-boksieri goditi njërin prej rivalëve me gotë birre në kokë.
Ata iu kundërpërgjigjën duke nxjerrë pistoletën dhe duke e lënë Nimanin të plagosur me armë zjarri. Në Shkurt të 2016-s, forca të shumta policie zbarkuan në shtëpinë e ish-boksierit. I kishte marrë në telefon bashkëshortja e tij, për shkak se po ushtronte dhunë ndaj saj. Ai u arrestua pa bërë rezistencë.
Ndërsa vitin e shkuar, në makinën e 38-vjeçarit policia zbuloi një arsenal armësh, gjatë një kontrolli në Bavari. Në atë kohë, ai i tha policisë se armët i kishte për vetëmbrojtje.
Ish-kampioni i boksit, i cili numëronte 26 fitore dhe vetëm 1 humbje, u tërhoq nga ky sport në vitin 2019. Në Gjermani kishte emigruar në vitin 1997.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip