logo
Ndryshimet statutore/ Bardhi dhe Gjekmarkaj nënkryetar, Tabaku në Kryesi

Ndryshimet statutore/ Bardhi dhe Gjekmarkaj nënkryetar, Tabaku në Kryesi

4 Mars, 2024
18:50

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e të martës, pritet të ndryshojë dy nene të statutit të partisë, që t’i japë mundësi Gazment Bardhit dhe një pjesë e deputetëve të grupimit të tij që të bëhen pjesë e strukturave të PD-së. Kjo do të ndodhë për shkak të pozicioneve që ata mbajnë aktualisht.

Ndryshimet e neneve parashikojnë që kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Kuvendit, edhe në qoftë se nuk janë fitues në zgjedhje për nënkryetarë të partisë, marrin automatikisht këtë post. Po ashtu, parashikohet dhe që kryesia e grupit parlamentar (ku përfshihet nënkryetari) dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend bëhen automatikisht pjesë e Kryesisë së partisë.

Kështu, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të marrin postine nënkryetarit, për shkak të pozicionit që mbajnë kryetar grupi dhe nënkryetar Kuvendi.

Ndërkohë, në strukturën drejtuese (Kryesi) do të përfshihen dhe nënkryetari i grupit, Ervin Salianji dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend.

Në këtë mënyrë, ata nuk do të votohen as në Kryesi dhe as në Këshillin Kombëtar, por do të marrin këto pozicione duke u emëruar me ndryshime statuti. Bardhi dhe Gjekmarkaj i bashkohen në pozicionin e nënkryetarit të PD-së, Oerd Bylykbashit dhe Luçiano Boçit.

Ndërkohë, Jorida Tabaku, Zheni Gjergji, Dhurata Çupi, Ferdinand Xhaferi, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti dhe  Helidon Bushati, do të jenë anëtarët e rinj të Kryesisë së PD-së.

Ndryshimet statutore do të propozohen nga Kryesia dhe do të miratohen nga Këshilli Kombëtar.

Dy nenet që ndryshojnë:

*me të zezë të theksuar pikat që u shtohen neneve

Neni 47

Kryesia e Partisë

1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:

a) Kryetari i Partisë;

b) Dy nënkryetarët e Partisë,

c) Sekretari i Përgjithshëm;

d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;.

e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e antarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë mandat tjetër përveç atyre të parashikuar në gërmat a), b), c) dhe d) të pikës 1 të këtij neni.

3. Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta të fundit kooptohet me vendim Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, deri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.

Po ashtu ndryshime pëson edhe neni 51, duke mundësuar kështu bërjen automatikisht të Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt nënkryetar partie, por edhe anëtarë Kryesie.

Neni 51

Nënkryetarët e Partisë

1.            PDSH ka dy nënkryetar të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të këtij Statuti.

2.            Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

3.            Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar.

Anëtarët  e rinj të Kryesisë  së Partisë Demokratike sipas ndryshimeve të reja statutore që pritet te miratohën të martën:

Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar

Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar

Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit

Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)

Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)

Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)

Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)

Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)

Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane)

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Thirrë, kompania “Sang 1” rinis punimet për HEC-in pa dokumente
lexo artikullin