logo
Ndërsa afron Super e Marta, Trump përshkallëzon retorikën ndaj Biden

Ndërsa afron Super e Marta, Trump përshkallëzon retorikën ndaj Biden

4 Mars, 2024
11:11

Dita më e rëndësishme për zgjedhjet paraprake në Shtetet e Bashkuara po afron. 5 marsi cilësohet si Super e Marta, dita kur 16 shtete amerikane do të organizojnë njëkohësisht votimet për zgjedhjet paraprake brenda partive. Deri më tani, Presidenti Joe Biden dhe të ish Presidenti Donald Trump duket se janë qartësisht fitues në garën brenda partive të tyre.

Ndërsa afron e marta, zoti Trump ka përshkallëzuar retorikën ndaj zotit Biden, duke e akuzuar atë se po tenton të dëmtojë Shtetet e Bashkuara nëpërmjet emigracionit të paligjshëm.

Fushata zgjedhore është intensifikuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa 16 shtete pritet të mbajnë njëkohësisht të martën zgjedhjet paraprake brenda partive.

Ky është një moment kyç për Presidentin Joe Biden dhe ish Presidentin Donald Trump, të cilët janë kandidatët kryesorë për president respektivisht në Partinë Demokrate dhe Partinë Republikane. Rezultatet e mira gjatë votimeve të së ashtuquajturës Super e Marta, do të forconin më tej pozitat e tyre.

Garat zgjedhore do të zhvillohen që nga shteti verior Alaska dhe deri në Kaliforni.

Në Partinë Demokrate, Presidenti Joe Biden është përballur me disa probleme politike, të cilat janë pasqyruar me ulje të përqindjes së mbështetjes në anketimet e opinionit publik, por që përgjithësisht nuk i kanë shkaktuar ende humbje të mëdha gjatë votimeve paraprake.

Një përjashtim ndodhi në shtetin e Miçiganit, ku pati një organizim të brendshëm në radhët e demokratëve për të votuar si “të pavendosur”, në formë proteste kundër mbështetjes së Presidentit Biden për Izraelin. “Të pavendosurit” mblodhën në Miçigan rreth 13% të votave, një nivel pak më i lartë krahasuar me zgjedhjet paraprake në të kaluarën.

Në Partinë Republikane, ish presidenti Donald Trump gjithashtu vazhdon ta mbizotërojë garën, ndërsa kundërshtarja e tij kryesore në garë, ish ambasadorja në OKB Nikki Haley, po has në vështirësi. Ajo madje humbi me një diferencë prej mbi 40% në zgjedhjet e fundit paraprake në Miçigan, si dhe më herët në shtetin e saj, Karolinën e Jugut.

Ish Presidenti Trump përballet me mbështetje jo të mirë në radhët e votuesve me arsim universitar.

Të shtunën, gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut ai përshkallëzoi edhe më tej retorikën kundër Presidentit Biden, duke e akuzuar atë për përmbysje të rendit shoqëror amerikan nëpërmjet emigracionit të paligjshëm.

“Sjellja e Biden-it për kufirin tonë, është nga çdo botëkuptim, një komplot për të shkatërruar Shtetet e Bashkuara. Ai flet për demokraci… dhe ai është një rrezik për demokracinë… Biden dhe bashkëpunëtorët e tij duan të rrëzojnë sistemin amerikan, të zhvlerësojnë vullnetin e votuesve amerikanë dhe të krijojnë një bazë të re pushteti që u jep kontroll në disa gjenerata”, tha zoti Trump.

Kjo deklaratë duket si një refuzim ndaj ofertës për bashkëpunim që bëri Presidenti Biden më herët gjatë vizitës në zonën kufitare në Teksas.

“Ja se çfarë do t’i thoja zotit Trump: në vend që të bëni lojëra politike me këtë çështje, në vend që t’i thoni anëtarëve të Kongresit që ta bllokojnë legjislacionin, bashkohuni me mua, ose të bashkohem unë me ju dhe t’i themi Kongresit ta miratojë këtë projektligj dypartiak për sigurinë kufitare. Mund t’ia dalim së bashku”, tha nga Teksasi Presidenti Biden.

Ndërsa emigracioni është bërë një tematikë gjithnjë më e rëndësishme elektorale për të dyja palët, qëndrimet diametralisht të kundërta pritet të vazhdojnë edhe pas votimeve paraprake të Super të Martës./VOA

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

VIDEO/ Momenti dramatik kur shkëmbinjtë bien mbi automjetet në rrugë
lexo artikullin