Ndalimi i dinarit serb në Kosovë, Escobar: Palët t’i rikthehen dialogut dhe të përmbushin marrëveshjet ekzistuese!
Zëvendës Ndihmës Asistenti i Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, e vlerësoi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e zbatimit të Rregullores së Bankës qendrore të Kosovës e cila ndalon dinarin serb në Kosovë.
Escobar iu referua qëndrimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, tha Gabriel Escobar në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Escobar shtoi se “shumë nga këto çështje” parashikohen të zgjidhen përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, përkatësisht se në draft-Statutin e BE-së ky trup do të financohej nga Serbia përmes një banke të regjistruar dhe licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ku edhe do t’i nënshtrohej vëzhgimit dhe transparencës brenda kornizës ligjore të Kosovës.
Në lidhje me çështjen e dinarit, edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, u pyet nga “Tanjug”, ku theksoi se ShBA e ka shprehur që në fillim “shqetësimin e saj” në raport me atë se si ndikon ajo “te njerëzit e zakonshëm”.
“Nuk dua të hyjë në detaje se çfarë po ndodh në Kosovë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë tejet e qartë rreth shqetësimeve ndaj kësaj përpjekje për të ndaluar dinarin dhe çfarë kjo do të thotë për njerëzit normalë mesatarë; SHBA ka qenë shumë e qartë”, tha Hill.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip