logo
Ministri Balla: Marrëveshja për ekstradimet do nënshkruhet pas disa javësh! Ndryshojmë edhe ligjin për Policinë

Ministri Balla: Marrëveshja për ekstradimet do nënshkruhet pas disa javësh! Ndryshojmë edhe ligjin për Policinë

5 Mars, 2024
12:05

Parajsa për strehimin e kriminelëve shqiptar në Dubai, shumë shpejt do të marrë fund. Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se pas disa javësh do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku do të nënshkruajë marrëveshjen për ekstradimet, e cila do të mundësoj që ky vend të mos jetë më oaz shpëtimi për ata që kanë probleme me drejtësinë.

‘Para disa muajsh, edhe ju nuk e besonit që ne mund të arrijmë të identifikojmë dhe më pas t’i ndalojmë persona  në vende me të cilat nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Gjej rastin t’i falënderoj autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese e EBA, me të cilët kemi një komunikim pothuajse të përditshëm, lidhur me identifikimin dhe gjetjen e personave të cilët kërkohen nga drejtësia. Këtu gjej rastin të nënvizoj për publikun, një përgjigje që shpeshherë e bëjnë shumë, edhe ju, edhe në studiot e darkave, se përse Policia e Shtetit po merret edhe me këta persona që nuk jetojnë në Shqipëri, apo që janë dhe në këto vende përfshirë dhe EBA.

Llogaridhënia duhet të jetë e njëjtë për çdo qytetar. Për  sa kohë që ka një vendim gjykate, sa kohë që je në kërkim, qoftë dhe policor, detyra e Policisë së Shtetit është që këta persona të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë. Ne po punojmë me autoritetet e EBA, për të pasur sa më shpejt një marrëveshje ekstradimi. Pas disa javëve do të jem zyrtarisht në EBA për t’u takuar me autoritetet më të larta, qoftë në Ministrinë e Brendshme, qoftë në atë të Drejtësisë, për të finalizuar një marrëveshje, e cila të na mundësonte që edhe ky vend, të mos jetë më, le të themi, si një oaz shpëtimi për të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë. E vërteta është që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi dhe rezultate e këtyre ditëve po e konfirmojnë këtë gjë.’– tha Balla.

Nga ana tjetër, ministri Balla, bëri me dije se do të ndryshojë ligji për Policinë e Shtetit dhe se brenda pak ditëve drafti do të hidhet për konsultim publik. Sipas Ballës ndryshimet e reja do t’i japin rëndëi meritokracisë brenda në Policinë e Shtetit.

‘Do ndryshojmë ligjin për Policinë e Shtetit, drafti për pak kohë në konsultim publik. Ligji i ri i Policisë Shtetit duhet t’i japë rëndësi meritokracisë. Duhet t’i garantojmë që çdo punonjësi të ndershëm të policisë së Shtetit të bëjë karrierë. Ka patur një bllokim të karrierës në Policinë e Shtetit. Pas një punë intensive të përditshme do të kemi shumë shpejt një draft që do të bëhet publik, ku edhe ju dhe opinioni publik do të njoftoheni. Ligji i ri i policisë së shtetit i është referuar eksperiencave më të mira ta shndërrojmë policinë e shtetit si institucionin më të besuar në vend. Është një ligj goxha i madh dhe në këtë aspekt puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për ta bërë gati për t’ju nënshtruar konsultimeve publike.’- tha Balla.

Ministri tha po ashtu se së shpejti do hidhet në konsultim edhe Kodi Etik i Policisë së Shtetit.

“Kam kërkuar që Kodi Etik ekzistues të vendoset në dyert e çdo komisariati. Tashmë pas shumë konsultimesh edhe si i përket Kodit Etik ka plot ide inovatore që na kanë ardhur për tu përfshirë. Është  e nevojshme që të rregullojmë qasjen e policëve për të parandaluar çdo lloj kontakti e komunikimi të papërshtatshëm. Aleati më i madh i Policisë së Shtetit është publiku, që të garantosh besimin e publikut duhet të punosh me integritet dhe besueshmëri”, tha Balla.

Burimi: vovmagazine.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Mund të aksesohet nga nesër, risitë që do të sjellë në iPhone iOS 17.4
lexo artikullin