Mesazhi i Erdoganit për “28 shkurtin”, ç’është kjo datë në historinë turke?
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se autoritetet e vendit nuk do të lejojnë askënd të ringjallë mentalitetin e errët të protagonistëve të procesit të puçit të njohur si “28 Shkurti”.
Procesi i njohur më mirë si “28 Shkurti” është shkruar në historinë politike turke si një “grusht ushtarak postmodern” dhe ka ndodhur në këtë ditë 27 vjet më parë.
“Populli ynë kurrë nuk i ka harruar dhe nuk do t’i harrojë puçistët dhe ata që i mbështetën, të cilët më 28 shkurt synuan bashkimin, solidaritetin, demokracinë dhe vullnetin e popullit. Nuk do të lejojmë askënd të ringjallë mentalitetin e errët të 28 shkurtit në vendin tonë”, tha Erdogan në një mesazh përkatës në rrjetet sociale.
Procesi i “28 shkurtit” filloi pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë më 28 shkurt 1997 mori një sërë vendimesh që shpesh quhen një “grusht shteti ushtarak postmodern” kundër qeverisë së kryeministrit të atëhershëm të Turqisë Necmettin Erbakan dhe ministres së Jashtme Tansu Ciller.
Memorandumi i udhëheqjes ushtarake të Turqisë i miratuar në vitin 1997 rezultoi në ndërhyrjen e ushtrisë në pushtetin ekzekutiv dhe në rënien e qeverisë së atëhershme.
Para se të jepte dorëheqjen, Erbakan u detyrua të nënshkruante një sërë reformash që përfshinin, ndër të tjera, ndalimin e hyrjes së grave të mbuluara në institucionet publike dhe mbylljen e shkollave fetare. Megjithatë, pushteti i Erdoganit dhe vetë ky i fundit janë fryti i farës që mbolli Erbakan.
Tashmë, pushteti i gjithëfuqishëm i Ushtrisë në Turqi është diçka e së kaluarës.
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip