Mashtrimi! Tregu i lirë i punës mes vendeve të “Open Balkan” nuk u hap më 1 Mars
Prej shpalljes së nismës Open Balkan, qytetarët në të tre shtetet anëtare janë përballur me shumë narrativa dhe pak fakte. Kështu ndodhi edhe kur u njoftua tregu i lirë i punës mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë që përflitet prej vitit 2021. Në të vërtetë, kjo marrëveshje që u ‘rinjgjall’ në takimin e liderëve në janar 2024, nuk ka nisur të zbatohet. Faktoje jep një panoramë të asaj çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe narrativës që ka shoqëruar këtë pritshmëri.
“Tregu i lirë i punës Tiranë – Shkup – Beograd hapet më 1 mars”
Ky ishte refreni i mediave në të tre shtetet fqinje, Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Serbi që firmosën në janar të këtij viti dy protokolle që do mundësonin që tregu i lirë i punës dhe identifikimi elektronik i qytetarëve të vendeve firmëtare të funksiononte. Por edhe pse 1 Marsi ka kaluar, zbatimi i dy protokolleve nuk duket të jetë në vijë. Në Shqipëri protokolli ende nuk ka kaluar procedurat e brendshme ligjore për miratim që do t’i hapnin rrugë zbatimit të tij.
Nënshkrimi i dy protokolleve që përcaktojnë mënyrën se si do të zbatohen marrëveshjet e arritura në vitin 2021 nga nisma Open Balkan, mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është kthyer në burim dezinformimi. Konfuzionit mbi ekzistencën apo jo të kësaj nisme, sot i është shtuar edhe keqinformimi mbi atë çka është zbatuar dhe çfarë jo.
Marrëveshja e firmosur mes tre vendeve anëtare në Open Balkan u njoftua nga mediat në vitin 2021.
Nga firmosja e kësaj marrëveshjeje, u deshën 2 vjet që tre shtetet të dakordësonin udhëzuesin mbi mënyrën se si kjo marrëveshje do të bëhet realitet.
Vonesa prej 2 vitesh lidhet me “lënien pas dore” të punës që tre qeveritë duhet të bënin me njëra-tjetrën për të arritur në një formulë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, siç raportoi Faktoje në prill të vitit 2023.
Mesa duket, historia po përsëritet.
Gjithçka u rikthye në vëmendje në fillimvitin e 2024-s, kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia firmosën me njëra-tjetrën protokollin për zbatimin e marrëveshjes për tregun e lirë të punës.
Firmosja e këtij protokolli u përdor nga Serbia për të risjellë në vëmendje nismën Open Ballkan, tashmë të ‘varrosur’ nga kryeministri shqiptar Edi Rama prej 1 korrikut 2023, kur e shpalli të përmbushur misionin e saj.
Një pjesë e mediave, pavarësisht ekzistencës prej 2 vitesh të kësaj marrëveshjeje, raportuan (edhe njëherë) se tre vendet fqinje firmosën një marrëveshje për tregun e lirë të punës. Njëkohësisht u njoftua edhe data 1 mars si afati kur ajo do të hynte në fuqi.
Pas firmosjes së protokollit të zbatimit në Janar, Faktoje kërkoi nga Ministria e Financave të njihet me tekstin e plotë të tij. Në përgjigjen e dërguar, Ministria e Financave i tha Faktoje-s në fillim të muajit shkurt se protokolli në fjalë ‘është ende në pritje për të kaluar procedurat e brendshme ligjore, ndaj nuk mund të na e dërgonin dokumentin’.
Nga ai moment, protokolli nuk ka kaluar nga asnjë institucion për miratim.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi qeveritë kanë hapur faqet respektive në rrjet ku qytetarët do duhet të aplikojnë për t’iu hapur rruga për të punuar në shtetin pritës.
Që ky aplikim online të mundësohet, duhet që më parë tre shtetet anëtare të zbatojnë protokollin e dytë për identifikimin elektornik të qytetarëve të tre shteteve, i cili u firmos në 22 janar. Është ky protokoll që do të lejojë krijimin e një databaze ku qytetarët mund të aplikojnë për të marrë një numër identiteti të quajtur “Open Balkan ID” përmes të cilit më pas mund të aplikojnë online për të punuar në shtetin pritës.
Kjo njoftohet qartë në faqen online nga shteti serb.
Përmes një kërkimi të thjeshtë në portalin online të qeverisë shqiptare E-Albania, vërtetohet se një shërbim i tillë ende nuk ekziston, duke pamundësuar edhe aplikimin për punë në Serbi apo Maqedoninë e Veriut.
Ne pyetëm edhe asistentin virtual të E-Albania për aplikimin për një Open Balkan ID, por ky informacion nuk u gjend nga inteligjenca artificiale e përdorur nga portali qeveritar shqiptar.
Mbetet ende për t’u verifikuar nëse këto faqe online funksionojnë në dy vendet fqinje të Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, por gjasat janë që databaza online mes tre shteteve – që do të mundësonte marrjen e një “Open Balkan ID” për të aplikuar për punë – nuk ekziston ende. Ndaj edhe “tregu i lirë i punës” mes këtyre tre shteteve nuk është ende në fuqi.
I vetmi informacion në faqet online të qeverisë shqiptare për “Open Balkan ID” është marrëveshja e firmosur në vitin 2021.
Kjo nuk i ndaloi medait shqipfolëse që në 1 Mars të njoftonin “hapjen” e tregut të lirë të punës mes tre shteteve. Me stilin “copy-paste” mediat përhapën njoftimin.
Narrativa për nisjen e funksionimit të këtij tregu u theksua edhe në Serbi, duke u përcjellë në gjuhën shqipe nga portali online pro-serb, Kosovo Online.
Duket se lajmet për hapjen e tregut të lirë të punës mes Shipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, janë një përsëritje e propagandës pro nismës së Ballkanit të Hapur, që përsëritet prej tre vitesh tashmë, pa kurfarrë verifikimi.
Faktet tregojnë se deri më tani ky “treg i lirë” ka mbetur vetëm në letër. Nuk dihet edhe sa kohë do duhet që ky aplikim online i qytetarëve të shteteve firmëtare të mundësohet dhe të funksionojë vërtet – nëse kjo do të ndodhë. Ajo që dihet me siguri është se ky treg i lirë pune nuk ekziston ende.
/FAKTOJE
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip