Malisheva vazhdon me formën e mirë, fiton edhe Prishtina
Skuadra e Malishevës ka vazhduar me formën e mirë në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Të dielën, Malisheva ka shënuar edhe fitoren e katërt rresht pasi triumfoi ndaj Gjilanit.
Në duelin e xhiros së 23-të, të luajtur në Gjilan, Malisheva fitoi me shifrat 3:2. Më i merituari për këtë fitore të Malishevës, padyshim se ishte sulmuesi i krahut, Drilon Hazrollaj.
Në fakt, Hazrollaj ia siguroi fitoren Malishevës pasi shënoi “hat-trick”. Dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, mjaftuan për triumfin e Malishevës. Hazrollaj golat i shënoi në minutën 19-të, 40-të nga penalltia dhe 86-të.
Ndërkohë, për Gjilanin realizuan Senad Jaroviq (9’) e Kushtrim Shabani (75’). Me këtë fitore, Malisheva mbetet e katërta në tabelë por me 41 pikë të mbledhura, dy më pak se Drita që është e treta. Gjilani mbetet i teti në tabelë me 22 pikë.
Krahas Malishevës, edhe Prishtina ka shënuar fitore në këtë xhiro. Në ndeshjen e luajtur në Lipjan, Prishtina e mposhti 3:1 Lirinë e Prizrenit. Ardian Muja (61’), Kreshnik Uka (69’) dhe Leotrim Kryeziu (90’) shënuan për triumfin e Prishtinës që tani ka 34 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë. Golin për prizrenasit e shënoi Aldi Gjumsi në mintën e pestë të kohës shtesë.
Liria mbetet e fundit në tabelë me vetëm 9 pikë dhe ende pa fitore në stinorin pranveror.
Burimi: teve1.info
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip