
Lajçak: Shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë mbetën pa përgjigje, duhen takime shtesë!
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha të martën se duhen takime shtesë ndërmjet palëve për të zgjidhur çështjen e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Ai i bëri këto komente në rrjetet sociale pas takimit me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke theksuar se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës.
Ai shkroi në rrjetet sociale se “takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pikëpyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi ai.
Ekipi i Serbisë udhëhiqej nga kryenegociatori Petar Petkoviç ndërsa nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.
Banka Qendrore e Kosovës tha përmes një komunikate se në takimin me të dërguarin evropian Lajçak, “autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nuk u vu në diskutim apo kontestua nga Bashkimi Evropian, por janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb.
Në komunikatë thuhet se gjatë takimit me një delegacion të ministrisë se Financave të Serbisë, janë diskutuar “mundësitë e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”.
Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha pas takimit se vendimi i njëanshëm i autoriteteve në Prishtinë nënkupton kërkimin e një zgjidhjeje përmes nivelit politik.
Zoti Petkoviç tha se Beogradi do të bëjë gjithçka për të arritur një zgjidhje në Bruksel ndërsa theksoi se kanë kërkuar që të hiqen pjesët e diskutueshme të rregullores, por edhe që Banka e Postës së Serbisë të vazhdojë të funksionojë në Kosovë.
Takimet e sotme pasuan rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
Takimi i së martës ndodhi në njëvjetorin e arritjes së marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi sot në rrjetet sociale se Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen një vit pas pajtimit. Ai tha se përgjatë kësaj periudhe një vjeçare Kosova është përballur me shkeljet e marrëveshjes nga Serbia dhe përshkallëzimin e situatës në terren.
Me 27 shkurt të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip