Kupa e Shqipërisë/ Caktohen datat dhe oraret e çerekfinaleve të kthimit
Të martën dhe të mërkurën do të luhen ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të përcaktohen edhe katër ekipet që do të kalojnë në gjysmëfinale.
Takimi i parë më datë 5 mars do të jetë Egnatia-Laçi, që do të zhvillohet në “Egnatia Arena” në orën 13:30.
Rrogozhinasit janë një hap larg gjysmëfinaleve, pasi triumfuan në sfidën e parë në stadiumin e Laçit me rezultatin minimal 1-0.
Në orën 17:00, Partizani do të përballet me Kukësin në “Arenën e Demave”. Të kuqtë fituan në ndeshjen e parë në “Kukës Arena” 1-0 dhe janë më pranë kualifikimit.
Të mërkurën më datë 6 mars do të zhvillohen edhe dy takimet e tjera.
Në orën 13:30, Tirana do të përballet me Teutën. Ndeshja e parë ka përfunduar në barazim pa gola 0-0 dhe gjithçka është e hapur përsa i përket kualifikimit.
Ndërsa në 17:00 në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të luajë ndaj Erzenit.
Shijakasit janë më pranë gjysmëfinaleve pas suksesit në takimin e parë 2-1, megjithatë çështja e kualifikimi është e hapur dhe të dyja skuadrat kanë vetëm një synim.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip