logo
Kërkuan revokim të masës arrest shtëpie, GJKKO rrëzon kërkesën për Berishën dhe Malltezin. Avokati Gjokutaj: Këta janë një komisariat politik!

Kërkuan revokim të masës arrest shtëpie, GJKKO rrëzon kërkesën për Berishën dhe Malltezin. Avokati Gjokutaj: Këta janë një komisariat politik!

12 Mars, 2024
17:34

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masës së sigurisë.

Vendimi, për të qëndruar në arrest në shtëpi, u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka. Avokati Gec Gjokuaj, në një prononcim për media tha se “masa e arrestit është dhënë pa u bërë pyetje prokurorëve”.

“Këta janë një komisariat politik. Nuk e di se si kjo gjykatë, që ka dhënë masën e arrestit për Berishën dhe Malltezin, nuk u bëri një pyetje prokurorëve. Të mos kesh një kuriozitet të bësh një pyetje, ku qëndron korrupsioni, kush i tha kujt, kush i premtoi kujt.

Se kur do të përfundojë as prokurorët nuk e dinë vetë, se do të presin çfarë t’u thotë Rama. Prokurorët nuk u japin drejtim akteve të tyre. Kjo nuk është më gjykatë. Por, përgjegjësia është e gjykatës, që merr përgjegjësinë e një arresti. Si duket kjo gjykatëse e ka vendosur këtë punë, e di vetë ajo se si”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore për marrjen në shqyrtim të kërkesës penale regjistruar pranë kësaj gjykate, me nr. 125 regj themeltar, datë 23.02.2024, që i përket kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha dhe kërkuesit/të hetuarit Jamarbër Malltezi.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, Gjykata, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 237, 246 pika 6, 249 dhe 260 të K.Pr.Penale, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

1.1.Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal, caktuar me vendimin nr.520 datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.2. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Jamarbër Malltezi, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim Jamarbër Malltezi”, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

2.1.Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit nën hetim Jamarbër Malltezi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, caktuar me vendimin nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Burimi: vovmagazine.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

“Je njeriu më i mirë dhe frymëzues”, Rita Ora me fotografi të veçantë uron të atin për ditëlindje
lexo artikullin