Ilir Meta vulos “divorcin” me Sali Berishën pas izolimit në shtëpi, “zbret” në terren dhe kërkon të marrë kreun e opozitës
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pasi e braktisi përfundimisht ish-kryeministrin Sali Berisha në luftën e tij me drejtësinë, po synon të marrë dhe kreun e opozitës.
Ish-presidenti dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi asnjëherë nuk kanë marrë pjesë dhe nuk janë përfshirë në aksionet politike të “Foltores”. Këtë e dëshmoi protesta e fundit politike që u organizua nga Sali Berisha. I gjithë “Rithemelimi” ishte aty, por Ilir Meta u “zhduk” në Egjipt dhe u mjaftua vetëm me një reagim të shkurtër. Janë disa faktorë që kanë çuar Ilir Metën në këtë distancim dhe “divorc” përfundimtar me Berishën. E para, që është mbështetur dhe komentuar nga shumë analistë, politikanë e juristë është se Meta ka frikë nga drejtësia dhe mbështetja e “non gratës” do ta përshpejtonte fundin e tij.
Nga ana tjetër, është dhe fundi politik i Berishës. Mesa duket, Meta po priste momentin e rrëzimit të Berishës për të dalë në skenë. Nga ana tjetër, është edhe përplasjet që ai ka me Gazment Bardhin. Në momentin kur Bardhi dhe grupi i tij u bashkuan me “Foltoren”, Meta i shfaqi menjëherë pakënaqësitë dhe që prej asaj dite, marrëdhëniet me Berishën dhe mbështetësit e tij u ndërprenë. Meta po ashtu është shprehur qartës, se Berisha dhe ai duhet të hapin krahun për kandidat si kryeministër, dhe të ketë një kandidat të ri për drejtimin e opozitës, në zgjedhjet e 2025. Skenari i tij është, që ose të marrë drejtimin e opozitës, ose të propozojë një emër që “fijet” në prapaskenë t’i lëvizë po ai. Berisha nuk ka se çfarë të bëjë pasi ndodhet në arrest shtëpie. Gjatë gjithë kësaj kohe mbase, Meta ka pritur që Berisha të fundosej plotësisht, pasi edhe gjatë zgjedhjeve rregullat e lojës i vendoste ish-presidenti. “Rithemelimi” nuk ka parti dhe nëse ata nuk krijojnë një të re, në vitin 2025 sërish mund të përfundojnë në “çatinë” e Ilir Metës. Vulën e ka Lulzim Basha dhe ai e drejton Partinë Demokratike.
Meta “zbret” në terren
Ilir Meta doli nga “strofulla” e tij dhe “zbriti” dje në terren. Ai organizoi me partinë e tij një tryezë për Reformën Territoriale, nga ku ngriti disa nga problematikat që po përballet pushteti vendor, teksa hodhi akuza se objektivi i reformës ka dështuar. Sipas Metës, punësimet e personelit të bashkive dhe shpenzimet ndaj tyre janë rritur, teksa fondet dhe taksat lokale janë keqmenaxhuar. Ai bëri publike edhe 7 propozimet e PL për përmirësimin e kësaj situate, që nga ndryshimi i ligjit për referendumet lokale e deri tek përmirësimi i politikave fiskale. Në tryezën për Reformën Administrative Territoriale të organizuar nga PL me ekspertë të fushës, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, renditi disa nga arsyet që faktojnë sipas tij dështimin për realizimin e objektivave të kësaj reforme. Sipas Metës, gjatë 10 viteve është rritur numri i punësimeve të personelit në bashki dhe shpenzimet ndaj tyre, ndërsa janë ulur shpenzimet për investime publike.
Meta po ashtu ngriti shqetësim për kompensimin e dobët financiar si rezultat i politikave fiskale dhe vendimmarrjeve arbitrare te marra nga qeveria qendrore. Përballë kësaj panorame, Meta bëri publike edhe 7 propozime të PL, duke vënë fokusin tek ndryshimi i ligjit për referendumet lokale, përmirësimin e politikave fiskale si dhe zgjerimin e kompetencave të Këshillave të Qarqeve. Sipas Metës, motoja e qeverisjes vendore duhet të jetë në përputhje me kartën europiane të vetëqeverisjes vendore të Këshillit të Europës se janë qytetarët ata që vendosin për administrimin e bashkive.
Burimi: lajme.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip