logo
I dënuar me 2 vite burg, arrestohet brenda shtëpisë së “Big Brother” Liam Osmani

I dënuar me 2 vite burg, arrestohet brenda shtëpisë së “Big Brother” Liam Osmani

3 Mars, 2024
16:33

Policia e Tiranës ka njoftuar këtë të diel ndalimin e 44-vjeçarit, Liam Osmani, banorit më të ri të “Big Brother Vip Albania 3” që ju bashkua spektaklit mbrëmjen e kaluar.

Sipas njoftimit zyrtar ai është ndaluar në shtëpinë e “BBV”, pasi me një vendim gjykate të vitit 2022 Osmani është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg për veprën penale të mashtrimit.

Rezulton se në 2019 nëpërmjet mashtrimit, ai ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.

“Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3. Prokuroria e Tiranës, më datë 09.05.2022, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23.02.2022, për dënimin e këtij shtetasi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”. Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse”, thuhej në njoftim e policisë.

44-vjeçari rezulton se ka hyrë në Shqipëri 10 ditë më parë dhe sistemi në Rinas nuk e ka pikasur, duke bërë që ai të kalojë pa u ndaluar nga autoritetet. Pasi policia e ka parë në reality show-n “Big Brother” ka shkuar dhe ka ekzekutuar urdhër ndalimin për dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg për mashtrim biletash në vlerë rreth 6 mijë euro.

Arrestimi i Osmanit, ju është komunikuar edhe banorëve të tjerë të “Big Brother”. Ka qenë Sara Gjordeni ajo që ka lexuar zarfin e kuq të mbërritur në shtëpi, ndërsa banorët janë befasuar.

“Banorë, vëllai i madh ka një njoftim të rëndësishëm për t’ju dhënë. Liami, sot paradite është shoqëruar nga policia e shtetit, për veprime të mëtejshme të procedurale në lidhje me një vendim të prokurorisë dhe gjykatës, që e ka dënuar Liamin Osmanin, i cili përmes mashtrimit ka mashtruar një agjenci duke i marrë 17 bileta turistike për në Gjermani dhe nuk ka kryer pagesat përkatëse. Ai nuk do të kthehet më, pasi do të vijojë me procedurat.”, thuhet në njoftimin e vëllait të madh.

Sakaq, para hetuesve, pas ekzekutimit të urdhër ndalimit, Liam Osmani ka pretenduar se ka qenë në dijeni të një denoncimi në emër të tij për mashtrim, por jo se ishte dënuar me burg. Ky rast vë në dyshim edhe vërtetësinë e rregullave të përfolura të kontratës së “BBV” që çdo banor kalon në disa ‘filtera’ kontrolli të forta para se të bëhet pjesë e spektaklit.

Nga ana tjetër nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga Produksoni i spektaklit “Big Brother Vip Albania” 3. Ndërkohë në rrjet kanë nisur kritikat si dhe supozimet për një kordinim të mundshëm për efekte audience.

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Arrestimi i Liamit, momenti kur banorët e Big Brother Vip mësojnë lajmin – VIDEO
lexo artikullin