Alejandro Esteso Perez, analist politik dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor ka analizuar shumë aspekte të dialogut Prishtinë-Beograd. Ai vuri në pah faktin që aktualisht Bashkimi Europian nuk është një ndërmjetësues i barabarte për shkak të dyshes Borrell-Lajçak që kane vendosur masa vetëm ndaj Kosovës, dhe theksoi se Serbia e ka Hungarinë, mikun më të fortë të mundshëm në Bruksel, ndërsa Vuçiç dëshiron ta mbajë situatën e pazgjidhur me Kosovën,
“Në dialog kemi dy përfaqësues nga BE, të cilët nuk kanë qenë aq efektiv dhe që në Kosovë shihen shumë armiqësorë pasi vijnë nga dy shtete që nuk e njohin Kosovën. Pra, në përgjithësi ka qenë një kombinim i shumë mangësive dhe sfidave që nuk po e bëjnë dialogun të ecë përpara.” – tha Perez duke shtuar se Serbia ka disa aleatë shumë të mirë brenda Këshillit Europian.
“Hungaria nuk do të lejonte kurrë që të miratohen sanksione ekonomike apo masa politike kundër Serbisë, sepse gjithçka që prek Serbinë ndikon politikisht dhe ideologjikisht në Hungari. Pra, në këtë kuptim, Kosovës i mungon përkrahja mes shteteve anëtare. Eshtë shumë e trishtueshme të shohësh se ende në fillim të vitit 2024, ka ende masa të vendosura ndaj Kosovës, gjë e cila padyshim nuk po ndihmon për një zgjidhje të shpejtë të dialogut apo për një zhvillim të mirë ekonomik, politik dhe social në Kosovë” – theksoi analisti politik.
“Ajo që më vjen në mendje është pabarazia në peshore dhe dallimet strukturore që kemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç e thashë pak më parë, Kosova është pala më e dobët. Pa një marrëveshje, Bashkimi Europian duhet të heqë sanksionet. Por kjo nuk është rruga, nuk është shtysë për Kosovën që të ulet duarkryq në tryezën e bisedimeve. Ky është, mendoj, shqetësimi kryesor.” – potencoi Alejandro Esteso Perez
I pyetur nëse ai pret që së shpejti të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ai potencoi:
“Nuk shoh stimuj të mjaftueshëm as për Kosovën e as për Serbinë. Në rastin e Serbisë, nuk është në interesin e saj që të ketë një zgjidhje. Serbia është mirë me situatën aktuale dhe me status quo-në. Ajo ka një vend në OKB, ka mbrojtjen e Rusisë dhe Kinës, në qëndrimet ndërkombëtare. Kosova nuk ka asgjë nga këto. Pra, strategjia e Serbisë është thjesht të blejë kohë, të vazhdojë të bllokojë dhe ngrijë situatën sa më shumë që të jetë e mundur, derisa ndoshta të ketë një sërë rrethanash gjeopolitike që do ta lejojnë Serbinë të reagojë ose të bëjë lëvizje, gjë që për momentin nuk mendoj se ka gjasa”.