Fier – Përshtatën lokalin për lojëra fati, arrestohet menaxheri, në kërkim pronari
Policia ka arrestuar një 37-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim një 47-vjeçar këtë të martë në lagjen “Liri”, Fier, pasi kishin përshtatur lokalin për lojëra fati.
Në pranga ra menaxheri i lokalit, ndërsa në kërkim është shpallur pronari.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në lagjen “Liri”, ishte veçuar një ambient që ishte përshtatur me pajisje elektronike, për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me ata për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, finalizuan operacionin policor të koduar “Room”.
Nga kontrollet në brendësi të këtij lokali, u zbulua një dhomë e veçuar ku ishin vendosur makineta të markës “Apex”, lap top, dekoderë dhe celularë, nëpërmjet të cilave ndiqeshin dhe luheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.
Në vijim të veprimeve procedurale u kap në flagrancë dhe u arrestua menaxheri në këtë lokal, si dhe u shpall në kërkim pronair i lokalit. Punohet për kapjen e 47-vjeçarit.”- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip