Eurostat: Mbi 35% e të rinjve shqiptarë privohen nga të mirat materiale
Më shumë se një në 3 të rinj të moshës nga 15-29 vjeç në Shqipëri vuajnë nga privimi i rëndë material. Ky është treguesi më negativ në të gjitha vendet e Europës me një diferencë të theksuar nga vendi i parafundit.
Të dhënat janë bërë publike nga një publikim i posaçëm i Eurostat, zyrës së statistikave të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat në vitin 2021, mbi 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë të moshës nga 15 deri në 29 vjeç vuanin nga privimi i rëndë material. Kjo është norma më e lartë në të gjithë kontinentin. Vendi i dytë me treguesin më të përkeqësuar në Europë është Romania me 23.1 për qind, ndërsa mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian është 6.1 për qind.
Shkalla e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) është një tregues që tregon një mungesë të detyrueshme të sendeve të nevojshme dhe të dëshirueshme për të bërë një jetë të përshtatshme . Treguesi, i miratuar nga Komiteti i Mbrojtjes Sociale në Bruksel, bën dallimin midis individëve që nuk mund të përballojnë një të mirë, shërbim ose aktivitet shoqëror të caktuar. Ai përkufizohet si përqindja e popullsisë që përjeton mungesë të detyrueshme të të paktën 7 nga 13 artikuj privimi (6 të lidhura me individin dhe 7 të lidhura me familjen).
Lista e artikujve në nivel familjar:
Aftësia për të përballuar shpenzime të papritura
Kapaciteti për të përballuar pagesën për një javë pushim vjetor larg shtëpisë
Kapaciteti për t’u përballur me pagesat e prapambetura (për pagesat e hipotekës ose qirasë, faturat e shërbimeve, këstet e blerjes me qira ose pagesa të tjera kredie)
Kapaciteti për të përballuar një vakt me mish, pulë, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë
Aftësia për ta mbajtur shtëpinë në mënyrë adekuate të ngrohtë
Aksesi në një makinë/fugon për përdorim personal
Zëvendësimi i mobiljeve të konsumuara
Lista e artikujve në nivel individual:
Pasja e një lidhje interneti
Zëvendësimi i rrobave të konsumuara me disa të reja
Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për çdo mot)
Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj
Pasja e aktiviteteve të rregullta të kohës së lirë
Takimi me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj.
Sipas Eurostat, 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë kanë mungesë të paktën të 7 artikujve nga 13 artikujt e mësipërm.
Burimi: iconstyle.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip